Mbi 500 anëtarë të familjes Bunjaku dhe Rexhepi kanë dhënë mbrëmë mbështetje të fuqishme familjares së tyre, kandidates për deputete nga radhët e LDK-së në Gjilan, Valentina Bunjaku-Rexhepi.
Nënkryetari i LDK-së në nivel qendror, Lutfi Haziri, e ka përshëndetur këtë tubim, duke e vlerësuar si më masovik se ai në palestër i rivalëve.
“Mbështetja kaq masive e këtyre dy familjeve të respektuara, është shumë e rëndësishme për të ardhmen politike të Valentinës. Pra, suksesi determinohet kur të mbështetë familja. Kjo tregon që familja për ne është e shenjtë. Pra, ne si LDK bazën e kemi në familje, punojmë për shtet dhe besimin e kemi në Zot. Ju keni treguar që më shumë ka njerëz në këtë sallë sesa në tubimin e rivalëve në palestër”, tha Haziri.
Haziri tha se Bunjaku Rexhepi do të jetë përfaqësuese e denjë e familjes dhe e gjilanasve në Kuvendin e Republikës.
Ndërsa, kandidatja Valentina Bunjaku Rexhepi ka falënderuar kryetarin Haziri dhe familjet e saj, Bunjaku e Rexhepi, për mbështetjen kaq të madhe në rrugën e saj drejt Kuvendit të Republikës.
“Kjo përkrahje e familjarëve të mi dhe e kryetarit Haziri më bënë shumë krenare dhe të sigurtë se do t’ia dalë suksesshëm kësaj sfide. Iu jap fjalën se do të jem zë i fuqishëm i juaji e i Gjilanit në Kuvendin e Kosovës dhe do të punoj me krejt kapacitetin tim intelektual e njerëzor për të mirën e vendit”, tha Bunjaku-Rexhepi.