Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e vetme, e cila po kujdeset për shtetësinë e Kosovës.
Kështu ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Valon Murtezaj.
Më tutje Murtezaj i ka quajtur joetike deklaratat e disa zyrtarëve të PDK-së, se nuk ka vendimmarrje në Qeveri.
Sipas ish-zëvendësshefit të stafit të kryeministrit Mustafa, temat e mëdha që pritet të trajtohen në ditët e ardhshme do ta kenë gjithmonë kontributin konstruktiv të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Kjo nuk është e lehtë, por është e duhura në këto momente jo të lehta për Kosovën. Prandaj duhet një mobilizim i të gjithëve, i partive, i qytetarëve, i liderëve, i shoqërisë civile për të kontribuuar që jeta cilësore e qytetarëve të jetë objektiva madhore”, ka thënë Murtezaj në një intervistë për gazetën “Zëri”.
Ndërkohë, ai ka thënë se Projektligji për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi do të aprovohet në mbledhjen e Qeverisë dhe pastaj do të procedohet sipas rregullave në Kuvend për miratim.
“Me miratimin e ligjit në Kuvend hapet rruga për lëvizjen e lirë pa viza. Ky është kriteri i vetëm i mbetur. Kosova ka nevojë për t’i bërë ndërkombëtarisht të njohur kufijtë e saj”, ka shtuar ai.