Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, ka thënë se skuadra e tij do t’i kushtojë më shumë rëndësi La Ligës sesa Ligës së Kampionëve, pasi që beson se gara evropiane mund të të tradhtojë për 15 minuta.
Klubi katalonas është dhjetë pikë para Atletico Madridit në tabelën e La Ligës. Këta dy skuadra do të përballen të shtunën, para ndeshjes çerekfinale me Manchester Unitedin në mesjavë, më 10 prill.
Dhe Valverde thotë se sfida në La Liga, ku klubet garojnë gjatë gjithë sezonit, e tregon më mirë se Liga e Kampionëve suksesin dhe formën e mirë të Barcelonës për këtë sezon.
“Historikisht, kur Barcelona e ka fituar titullin e Ligës së Kampionëve, e ka fituar edhe titullin e La Ligës. E di që kjo është një garë që e duan shumë tifozët, lojtarët dhe të gjithë, por Liga e Kampionëve mund të të tradhtojë brenda 15 minutave nëse luan keq”, ka thënë Valverde.
“Për dallim, në La liga, ti e gjykon veten nga minuta e parë deri në minutën e fundit të sezonit. Kështu e gjykojmë veten brenda sezonit”.
Manchester Unitedi dhe Barcelona do të përballen fillimisht në Old Trafford, më 10 prill, e pastaj ndeshja kthyese do të zhvillohet në Camp Nou, më 16 prill.
Klubi katalonas është favorit për ta zënë një vend në gjysmëfinale të këtij sezoni të Ligës së Kampionëve, pasi që djemtë e Ernesto Valverdes janë duke e kaluar një sezon më të mirë këtë vit. Ata janë në finale të Kupës së Mbretit dhe liderë të La Ligës. Për këtë arsye, e duan me ngulm edhe suksesin në Ligën e Kampionëve për ta kompletuar tripletën këtë sezon.
Në anën tjetër, Manchester Unitedi është ringjallur pas shkarkimit të Jose Mourinhos dhe emërimit të Ole Gunnar Solskjaer në pozitën e trajnerit. Megjithatë, së fundi “Djajtë e kuq” e humbën vendin e katër në tabelën e Premierligës pas disfatës ndaj Arsenalit dhe u eliminuan nga FA Cup pas disfatës ndaj Wolves.
Megjithatë, skuadra e Solskjaer e dëshmoi në fazën paraprake të Ligës së Kampionëve se asgjë nuk është e pamundur. Manchester Unitedi u kualifikua në çerekfinale duke e përmbysur rezultatin ndaj Paris Saint-Germainit.