Barcelona ka kontaktuar me Atletico Madridin lidhur me transferimin e mundshëm të Antoine Griezmannit, ka konfirmuar trajneri Ernesto Valverde.
Griezmann ka qenë ylli kryesor i Atletico Madridit në pesë vjetët e fundit dhe në fund të sezonit që sapo është mbyllur njoftoi se ka kërkuar largimin nga madrilenët.
Barça është përfolur vazhdimisht si klub i interesuar për francezin dhe Valverde tani ka konfirmuar se ka iniciativa zyrtare për të kompletuar këtë transferim.
“Është e vërtetë që kemi kontaktuar. Është e vërtetë që bisedimet po ndodhin, por sezoni akoma s’ka përfunduar. Kemi edhe finalen e Kupës së Mbretit për ta luajtur. Kemi shansin të fitojmë dy titujt dhe duhet të fokusohemi aty”, ka thënë Valverde pasi Barça mbylli me barazim 2 me 2 me Eibarin sezonin në La Ligë. “Pas kësaj do të kemi kohë për gjithçka tjetër – s’do të themi asgjë të re teksa flasim për lojtarë të ekipeve tjera. Do të shohim. Ai është lojtar i mrekullueshëm. Gjithmonë e kemi thënë këtë”.