Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, i hodhi poshtë sugjerimet se Lionel Messi nuk ishte plotësisht i rikuperuar për të qenë titullar në barazimin 0:0 ndaj Athletic Bilbaos..
Lideri i La Ligës u ndal me barazim pa gola për herë të tretë më radhë në të gjitha garat. Me Messin titullar pasi u rikthye nga një lëndim i lehtë, Athletic Club nuk e lejoi Barçës t’i marrë pikët e plota nga San Mames.
Messi e nisi në stol barazimin e Barçës 1:1 kundër Real Madridit në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Mbretit të mërkurën, për shkak të goditjes që kishte marrë në kofshe, por qe titullar ndaj Bilbaos të dielën.
Superylli argjentinas ishte lojtari më i gjallë i Barçës, por prapëseprapë nuk ishte në nivelin e tij të zakonshëm.
Si pasojë, Barça u ndal, sepse edhe Philippe Coutinho bëri shumë pak për t’ia lehtësuar barrën njeriut kryesor të skuadrës. Megjithatë, Valverde këmbëngul se Messi ishte i gatshëm të luante.
Duke folur për gazetarë pas ndeshjes, Valverde tha: “Messi është shumë mirë, ai luajti në 100% e tij”.
“Ai ka pasur ca vështirësi, sepse ne i përjetuam ato si kolektiv. Ama kur ai luan, e bën sepse është plotësisht i bindur se çdo gjë është në rregull”, shtoi ai.