Qendërmbrojtësi i Francës, Raphael Varane, ka thënë se kombëtarja franceze duhet të ketë shumë kujdes nga Eden Hazardi dhe Romelu Lukaku të martën në gjysmëfinalen e Botërorit ndaj Belgjikës.
Franca eliminoi Uruguain në çerekfinale, teksa Belgjika rrëzoi një prej favoritëve kryesorë, Brazilin.
Varane ka zgjedhur Hazardin dhe Lukakun si dy lojtarët më të rrezikshëm të Belgjikës.
“Hazardi është lojtar me talent të jashtëzakonshëm, shpejtësi e kualitet të madh. Nuk ka zgjidhje ideale kundër tij. Duhet t’i lini pak hapësirë. Lukaku mund të bëjë diferencën për çdo skuadër për shkak të fizikut të tij. Ka lojtarë të mirë përreth, por edhe ne kemi. Duhet t’i lëndojmë në sulm”, ka thënë Varane.
Franca nuk ka arritur në finale të një Botërori që nga 2006-a, kur u mposht në penalti nga Italia.