Varianti Delta ngjall frikë, kthehen kufizimet në disa shtete

Prishtinë | 11 Kor 2021 | 16:08 | Nga Ekonomia Online

Shifrat e variantit Delta të Covid-19 ngjallin frikë në Evropë. Kjo po detyron vende të shumta që të bëjnë një hap prapa në rifitimin e lirive për të frenuar rritjen e rasteve të reja.

Në Spanjë, Katalonja ka mbyllur diskotekat dhe lokalet e tjera të natës në fundjavë.

Ata që dëshirojnë të marrin pjesë në evente me mbi 500 persona, duhet të tregojnë certifikatën e vaksinimit, në të kundërt nuk do të lejohen.

Një masë kufizuese që rrezikon të dëmtojë ndjeshëm sezonin turistik për komunitetin katalanas.

“Pandemia nuk ka përfunduar”, tha një zëdhënëse e rajonit gjysmë autonom të Spanjës.

Shqetësimi më i madh mbetet numri i lartë i rasteve me Covid-19 mes të rinjve.

Frika nga varianti delta ka pushtuar dhe Holandën. Kryeministri Mark Rutte, njoftoi një sërë masash kufizuese, në përpjekje për të frenuar këtë valë të re infeksioni.

Të gjitha diskot dhe restorantet do të mbyllen pas mesnatës, si dhe do të ketë kufizime në qarkullim.

Në ditën e fundit, Holanda raportoi mbi 10 mijë raste të reja, shifër e cila nuk shihej që prej krishtlindjeve. Varianti delta ka frikësuar edhe qeverinë italiane, atë franceze dhe të shumë shteteve të tjera evropiane.

Shpresa mbetet tek vaksinimi i qytetarëve, pasi deri më tani është konfirmuar mbrojtja nga shtrimet në spitale.

Të ngjashme