Mutacioni i ri B.1.1.529, i cili u zbulua për herë të parë në Botsvana (Afrikë), ka dhënë një alarm global.
Zyrtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë kanë thirrur sot një mbledhje për të vlerësuar variantin, i cili sipas disa vlerësimeve është më ngjitës se ai indian.
Shkencëtarët kanë njoftuar se se ky variant i ri përmban një numër të lartë mutacionesh. Kjo dukuri mund të shkaktojë valë të tjera të virusit duke shmangur barrierat mbrojtëse.
Janë konfirmuar vetëm 10 raste në tre shtete nga sekuencat e gjenomës së ADN-së, por kjo ka krijuar mjaft shqetësime te studiuesit.
B.1.1.529 përmban 32 mutacione në proteinën që mundëson hyrjen e virusit në organizëm, ku janë mbështetur pjesa më e madhe e vaksinave anti-COVID. Mutacionet rrisin aftësinë e virusit për të infektuar qelizat duke shkaktuar përhapjen e tij, ndërsa në anën tjetër është më e vështirë për qelizat imunitare që të luftojnë patogjenin.
Rastet e para me variantin e ri kanë ardhur nga Afrika e Jugut, ndërsa një tjetër në Hong-Kong. 36-vjeçari në Hong-Kong sapo ishte kthyer nga Afrika e Jugut dhe testi PCR rezultoi negativ. Pasi u kthye më 11 nëntor, rezultoi pozitiv më datë 13 teksa kryente karantinën.
Shkencëtarët do të vazhdojnë të vëzhgojnë B.1.1.529 për shenja të përhapjes më të gjerë dhe zhvillimit të tij.