Në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione u raportua lidhur me zhvillimin e punimeve në kompleksin memorial në Mejë, i thirrur nga Shoqata “27 Prilli 1999-Mejë”.
Drejtori i “Shoqatës së familjarëve të personave të zhdukur “27 Prilli 1999-Meje”, Haki Sadriu, ka thënë se problemi qëndron tek dy kompani të cilat kanë mosmarrëveshje dhe fotografitë e personave të zhdukur po mbahen nga njëra prej tyre, për shkak të mospajtimeve që kanë. Ai e ka cilësuar këtë veprim, si banal dhe të pakapshëm.
“Problemi për ne nuk ish dashtë me ndodhë, është aq banal i pakapshëm për një njeri normal sa nuk di me jep. Luhet me fotografitë e personave të pagjetur. Nuk e di çka duhet tjetër mu kontestuar kur luhet me të drejtën e familjarit. Kemi pas takim me komuna, kanë vizituar varrezat, kemi pas takime edhe me punëkryesin dhe nuk na kanë lejuar me i marrë fotografitë tona. Jemi në situatën më kritike, për faktin se familjarët vetëm janë në përfundim. Mund të shkojnë në mënyrë individuale dhe ne me nuk mund të bartim më përgjegjësi”, ka thënë Sadriu, raporton Ekonomia Online.
Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë Kosovare për Menaxhimin e Memorialëve, ka thënë se shpreson që policia dhe prokuroria të ndihmojë në zgjidhjen e këtij problemi.
“Kompania që e ka pas për obligim me i vendosë kapakët dhe emrat, nuk kanë qenë seriozë. Fotografitë kanë qenë të dobëta. Kjo është vrasje për së dyti. Kemi shkuar në kompaninë që është marrë me këtë punë dhe kam kërkuar që ose ti përmirësojë ose ti heq ata gurë aty. Ashtu ka ndodhë, i kanë heqë ata gurë. Pas dy javësh i kam dhënë urdhër kontraktuesit që të bëjë një zgjidhje tjetër ose e ndërpres kontratën. Ata e kanë bërë këtë. Fatkeqësisht ende nuk i kemi siguruar fotografitë, kompania ka thënë që brenda dy javësh do të mbyllet kjo çështje. Besoj se edhe policia dhe prokuroria do të na ndihmojë nëse ka nevojë për të marrë fotografitë”, ka thënë Zogaj.
Ai ka thënë se në vitin 2021 do të përfundojnë punimet në kompleks.
Deputetja e AAK-së, Teuta Haxhiu, ka thënë se masakra e Mejës është përgjegjësi e secilit dhe që të gjithë bashkë duhet ta përmbyllin këtë çështje.
“Sot kish qenë mirë të flasim për rezultate e jo për diçka tepër shqetësuese. Më e pakta që kisha pritë kish qenë kjo dhimbja e trefishtë, është dhimbje për të gjithë. Pasi ka shkuar rasti në prokurori të mos ndalet por edhe ne, nga këtu do dalim në përfundim ta diskutojmë në komision që sa më parë çështja e fotografive, që është aset i familjeve, është shkelje e të drejtave elementare të njeriut, do të zgjidhet”, ka thënë Haxhiu.
Deputetja e PDK-së, Luljeta Veselaj, ka apeluar që policia dhe prokuroria të merret me këtë çështje urgjentisht.
“Ne fillimisht si qytetarë, pastaj si deputetë apelojmë që sa më parë policia e prokuroria të merret me këtë sa më urgjent. Nuk guxojnë të luajmë me ndjenjat e atyre familjarëve që nuk e din as nga i kanë eshtrat”, ka thënë Veselaj.
Ibrahim Haxhiu nga Shoqata 27 prilli Mejë, ka thënë se janë kokulur para familjarëve, ndërsa ka fajësuar shtetin për këtë parregullsi.
Ai ka thënë se po ta dinte se do vinte në këtë gjendje, nuk do ta linte djalin të varrosej në atë kompleks.
“Nuk e di çfarë të drejte morale ka me na mbajt fotografitë, më ka thënë që projekti nuk ka ndryshuar nga një milion e 600 mijë euro. Që vjen kjo situatë, që bëhet kjo lojë e pandershme, e kemi menduar një Kosovë pa këto të meta që i ka sot, ne jemi në hall, ne asnjë cent nuk e marrim për këtë aktivitet. Me paratë tona vijmë”, ka thënë Haxhiu.
“Gabimi më i rëndë i shqiptarëve është kjo, me u bë fanatikë i partisë politike. Çdo gjë e ka bërë populli. Populli nuk vdes kurrë. Jahja Llukës i kam thënë që në Mejë nuk janë kry varrezat. Shumë sene janë bërë dhe ne nuk kemi pas qasje”.
I pyetur nga Haxhiu se a ka buxhet të mjaftueshëm, Zogaj ka thënë se ka.
“Buxhet ka, për mu me rëndësi është kapakët dhe emrat të vihen. Buxheti është i përcaktuar për tri vite. Jam i bindur se do kryhen para kohe”, ka thënë Zogaj.