Vatikani i ka mohuar raportet se Papa Françesku në një bisedë më një gazetar të mirënjohur italian ka thënë se nuk ka ferr.
Selia e Shenjtë ka thënë se artikulli nuk është shkruar me një transkriptë reale të fjalëve të thënë nga Papa.
Komenti i Papës u botua në të përditshmen “La Repubblica”.
Vatikani deklaroi se artikulli u bazua në një takim privat që Papa pati me themeluesin e gazetës, gazetarin Eugenio Scalfari.
Artikulli i Scalfarit ngjalli mjaft polemika, pasi doktrina e kishës mbështet ekzistencën e ferrit dhe thotë se shpirtrat e mëkatarëve do të zbresin në ferr, ku do të vuajnë në zjarrin e përjetshëm.
Në artikullin e Scalfarit, gazetari, një ateist i bindur, pyeti papën se ku shkojnë shpirtrat e këqinj dhe si ndëshkohen.
“Shpirtrat nuk ndëshkohen. Ata që pendohen, marrin faljen e zotit dhe shkojnë mes atyre që e adhurojnë, ndërsa ata që nuk pendohen dhe nuk mund të falen, zhduken, nuk ka ferr”, citohet Papa nga kjo gazetë në një artikull të botuar më 29 mars.