Vazhdojnë aktivitetet për Ditën e Evropës – Gratë në Mitrovicën e Veriut mësojnë shkathtësinë e thurjes tradicionale dhe kreative

Mitrovicë e Veriut | 19 Maj 2023 | 17:31 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shtëpia e Evropës në Mitrovicën e Veriut, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës së Evropës, ka organizuar punëtorinë kreative “Tradita e thurjes”.

Liljana Drazheviq, nga organizata “Inspiracija” (Inspirimi), u ka mësuar vajzave dhe grave bazat e thurjes së tezgjahut për përdorim personal ose si hobi kreativ.

“Kjo zeje është lënë pak pas dore, por kohët e fundit është gjallëruar dhe punëdorja po vlerësohet si njëfarë arti dhe kreativiteti”, tha Drazheviq, për Ekonomia Online.

Punëtoria përbëhej nga dy pjesë. Pjesa teorike përfshinte njohjen me historikun e thurjes me dorë, teknikën e punimit të objekteve nga materiale të ndryshme, llojet e tezgjahut, pjesët e tezgjahut dhe përdorimin e tyre, pajisjet dhe veglat shoqëruese, prodhimet e endura, thurjen dhe riciklimin.

Ndërsa, në pjesën praktike, të pranishmit patën rastin të provojnë përgatitjen dhe bërjen e bazës për thurje, përzgjedhjen e materialeve, teknikën e vendosjes së bazës për thurje në tezgjah, si dhe lidhjen dhe punimin në tezgjah.

2023-ta është shpallur si Viti Evropian i Shkathtësive, andaj shumë nga aktivitetet për shënimin e Ditës së Evropës në Kosovë janë fokusuar në zhvillimin e shkathtësive për të rinjtë.

Sipas Zyrës së BE-së, punëtoritë dhe trajnimet e ngjashme synojnë që t’i pajisin të rinjtë me shkathtësi thelbësore të jetës që do të rrisin jo vetëm potencialin e tyre për të shkëlqyer në tregun e punës, por edhe në jetën e tyre personale.

Të ngjashme