Vazhdojnë ëndrrat në Beograd: Kosovës autonomi me Kushtetutë të Serbisë

Prishtinë | 05 Shk 2018 | 16:20 | Nga

Në kryeqytetin e Serbisë, në Beograd, nga politikanë të saj, vazhdon retorika kundër shtetësisë së Kosovës. Madje, atje propozohet edhe zgjidhje për Kosovën, sikur shqiptarët të mos ishin deklaruar për zgjidhje me luftë e me politikë, transmeton Koha.net.

Kështu, ministri serb për Zhvillim teknologjik dhe inovacion Nenad Popoviq thotë se “autonomi më të gjerë të mundshme për shqiptarët, por nën ombrellën e Kushtetutës së Serbisë dhe të Rezolutës 1244, do të mund të ishte zgjidhje e problemit të Kosovës”.

“Në planin e brendshëm ne duhet të merremi vesh çfarë duam dhe për këtë arsye dialogu i brendshëm është gjë e jashtëzakonshme. Me rëndësi është që bashkë, pa marrë para sysh dallimet politike, të japim zgjidhjet tona. Nuk i kuptoj ata që nuk dëshirojnë të marrin pjesë në dialog. Mendoj se i gjithë tregimi do të përfundojë me të drejtën e Zotit,e koha do ta dëshmojë këtë”, citon “blic” i Beogradit të ketë thënë Popoviq.

Siç e thekson ai dëshirën ose ëndrrën e vet, kjo do të thotë se Kosova do të mbetet pjesë e Serbisë dhe se nuk ka dyshim që do të jetë ndryshe.

“Marrëveshja historike duhet të jetë ajo që mundëson për të jetuar me paqe në Kosovën që është serbe”, ka kërcënuar ai, transmeton Koha.net.

Në konstatimin se shumica shqiptare qe më shumë se 20 vjet nuk pajtohet me këtë, ai thotë:

“Ata janë këmbëngulës, disa ambasadorë më kanë thënë se ata nuk do të pajtohen me këtë. As ne nuk do të pajtohemi me ta. Pse ata të jenë më këmbëngulës se ne?”, është pyetur Popoviq.

Ai e mendon gjestin e Spanjës të jashtëzakonshëm lidhur me Kosovën.

“Pesë vende të BE-së s’e njohin Kosovën ashtu që faktori ndërkombëtar nuk ka fare qëndrim të përbashkët…”, thekson ai.

Popoviq pa keqardhje thotë se “edhe interesi i shqiptarëve është kompromisi që do t’iu mundësonte të zhvillohen, të punojnë, që në pushtet të kenë njerëz më cilësorë, porse e gjitha duhet pranuar në kufij të Kushtetutës së Serbisë”.

Në konstatimin se ata kanë dalë tashmë nga këta kufij, Popoviq thotë:

“Ata nuk kanë dalë sepse ekziston Rezoluta 1244. Po të mos ishte kështu, mentorët e tyre perëndimorë do të bënin presion ndaj nesh për të nënshkruar marrëveshje. Nuk ka kornizë për atë shtet të rremë… Derisa ne të mos pajtohemi me këtë, ata mund të flasin çfarë të duan, ata nuk janë shtet”, ka thënë ai.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme