Nën organizimin e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, nga dje kanë filluar kampet kreative për nxënësit fitues të nivelit republikan nga komuna e Prishtinës, Prizrenit, Pejës, Gjakovës, Ferizajt, Rahovecit, Drenasit, Dragashit, Suharekës, Istogut, Malishevës, Fushë-Kosovës, Obiliqit, Podujevës, Mamushës, transmeton Ekonomia Online.
Në grupin e dytë, mbi 100 nxënës të klasave VI, VII, VIII dhe IX, fitues të garave Nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe të Garave Nacionale në Dituri do të jenë pjesë e kampit kreativ që po mbahet në Brod të Dragashit.
Sot nxënësit vizituan Burimin e Drinit të Bardhë në Radavc, një nga bukuritë natyrore të Kosovës.
Gjatë gjithë kohës së qëndrimit nxënësit janë nën përkujdesje të stafit mjekësor, Policisë së Kosovës, mësimdhënësve si dhe stafit të Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.
Përgjatë ditëve në vijim do të organizohen aktivitete ku nxënësit do të kenë mundësi të socializohen ndërmjet vete dhe të shkëmbejnë eksperienca të ndryshme si dhe të shfaqin talentet e tyre.
Në Garën Nacionale në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik si dhe në Garën Nacionale të Diturisë, për herë të parë në Kosovë, rreth 316,000 kishin mundësinë të përfshihen në garë. Nga këto gara, në nivelin shkollor, komunal dhe republikan janë shpallur 44,723 fitues.