Policia e Kosovës së bashku me Forcën e Armatosur të Kosovës si dhe me institucionet kanë filluar edhe sot kërkimet për gjetjen e trupit të policit, Armend Trena që vazhdon të mbetet i zhdukur që nga dita e shtune.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Agim Gashi, i tha Insajderit se deri më tani nuk ka asgjë konkrete, ndërsa kërkimet po vazhdojnë në mënyrë intensive.
“Kanë filluar kërkimet në ora 9:00, janë tu dalë nëpër teren. Për momentin nuk ka asgjë konkrete ashtu edhe si ditëve të kaluara jemi duke punuar me gjithë kapacitet për gjetjen e trupit”.
“Pjesë e ekipes janë gjithë personat që ishin edhe ditë më parë, pjesëtarë të policisë, FSK-së, zjarrfikësit, vullnetarët, Instituti për Menaxhimin e Emergjencave”, ka thënë ai.
Ndërsa Gashi ka thënë se nuk ka informacione ende nëse zhytësi më me përvojë në Kosovë, Ismajl Kasumi po kërkon edhe sot trupin e policit të zhdukur. Ka thënë se ende nuk ka informacione për shkak të lëvizjeve të shumta tek vendi i ngjarjes.
Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Kasumi ka marrë pjesë në kërkimin e trupave të policëve, ku menjëherë është arritur të gjendet njëri prej policëve. Kasumi po ashtu gjatë ditës së djeshme ka thënë se nuk është i sigurt nëse do të kërkojë trupin e Armend Trenës edhe sot, për shkak të një lëndimi.
Malësor Dashi dhe kolegu i tij Armend Trena të shtunë në mbrëmje me veturën zyrtare kanë pësuar aksident dhe kanë rënë në ujë. Që nga e shtuna njësitet e FSK-së, Policisë dhe të zhytësve kanë bërë kërkime në ujë por deri dje nuk është gjetur trupi i asnjërit.