Edhe pse kanë kaluar afër gjashtë muaj qyshkur deputetja Aida Dërguti ka dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat në Lëvizjen Vetëvendosje, ajo ende po vazhdon ta mbajë postin e nënkryetares së Kuvendit, të cilin e ka marrë në emër të kësaj partie, shkruan sot Gazeta “Zëri”.
Kjo gjë po i pengon VetProbëvendosjes, që tani kërkon që këtë post ta marrë ndonjë deputet i saj.
Përveç këtij posti, Vetëvendosja dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur kanë probleme edhe sa i përket pjesëmarrjes në komisione parlamentare, pasi GDP-ja ende nuk ka liruar postet që duhet t’i marrë LVV-ja, ndërkohë që deputetët e kësaj të fundit janë larguar nga postet të cilat u takojnë deputetëve të LVV-së.
Kurteshi: Ne kemi filluar t’i lëshojmë vendet, të mos zvarriten procedurat
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Ismajl Kurteshi për “Zërin” ka deklaruar se kjo parti nuk i ka dërguar kërkesë për t’i liruar pozitat e tyre Grupit të Deputetëve të Pavarur.
“Ne nuk u kemi bërë kërkesë. Këtë çështje e rregullon Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në Nenin 67 të saj, pika 4 thotë se në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës janë përfaqësuesit e tre grupeve më të mëdha parlamentare”, ka thënë Kurteshi.