Vazhdojnë punimet në ndërtimin e objektit të shkollës në Malishevë

????????????????????????????????????
Prishtinë | 16 Tet 2019 | 14:02 | Nga Ekonomia Online

Në qytetin e Malishevës kanë filluar dhe po vazhdojnë punimet në ndërtimin e një objekti të ri shkollor, i cili do të jetë një prej objekteve më të mëdha shkollore e nivelit të shkollimit fillor dhe të mesëm të ulët.

Punimet në këtë objekt të ri shkollor, sot i kanë parë nga afër Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi dhe drejtori i Drejtorisë së Administratës, Hajrullah Mazreku.

Këta u njoftuan nga operatori me ecurinë e punimeve të deritanishme, punime të cilat janë duke vazhduar sipas dinamikës së paraparë, ndërsa punimet në ndërtimin e objektit janë duke u bërë sipas standardeve më të larta të ndërtimit.

“Ndërtimi i një shkolle të re brenda qytetit ka qenë tepër i nevojshëm, pasi qyteti aktualisht ka vetëm një shkollë të ciklit fillore dhe të mesëm të ulët, ndërsa numri i nxënësve është shumë i madh, e po ashtu edhe largësia e madhe për disa nga lagjet e qytetit, dhe kjo shkollë ka qenë kërkesë e vazhdueshme e banorëve të pjesë më të madhe të qytetit”, tha kryetari Begaj, shkruan klankosova.

Ky objekt shkollor, që është duke u ndërtuar, e që pritet të përfundoj në vitin 2020, është një prej objekteve më të mëdha dhe më moderne shkollore në Komunën e Malishevës, e përcjellë me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, përfshi ambientin e brendshëm dhe të jashtëm.

Ndërtimi i këtij objekti shkollor, mundësohet nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe do të kushtoj rreth 2.2 milionë euro.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme