Stuhia Harvey pritet të godasë sërish Teksasin. Sipas parashikimeve disa zona brenda dhe rreth Hjustonit do të përballen me shtim të sasive të reshjeve deri në 30 cm, duke e çuar sasinë e përgjithshme në rreth 127 centimetra në një pjesë të qytetit. Deri tani konfirmohen të paktën 8 viktima pasojë e asaj që konsiderohet si stuhia më e fortë që ka goditur Shtetet e Bashkuara në më shumë se një dekadë.
Pjesa juglindore e Teksasit vazhdon të përballet me shi të fuqishëm pasojë e stuhisë tropikale Harvey që ka shkaktuar përmbytje katastrofike në një nga qytetet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara.
Ndërsa disa prej të evakuuarve përballen me vështirësi në gjetjen e një strehe për t’u mbuluar nga shiu, shqetësim mbetet një goditje tjetër e stuhisë që pritet të ndodhë të mërkurën.
“Kurrë nuk kam përjetuar një gjë të tillë, nuk e pata imagjinuar se do të ishte katastrofike si kjo, është e tmerrshme”, thotë një i mbijetuar nga Hjustoni.
Kryebashkiaku i Hjustonit Sylvester Turner tha dje në mbrëmje se më shumë se 3 mijë vetë ishin shpëtuar dhe se 8 mijë ndodhen nëpër streha.
“Rrugët janë ende të pasigurta dhe do të ndihmonte shumë nëse njerëzit do të qëndronin larg tyre”.
Por më e keqja është ende larg. Stuhia do të vazhdojë të krijojë probleme të mëdha, duke sjellë sasi të mëdha shiu, në një zonë të goditur nga katastrofa. Sipas parashikimeve disa zona brenda dhe rreth Hjustonit nesër do të përballen me shtim të sasive të reshjeve deri në 30 cm, duke e çuar sasinë totale në rreth 127 centimetra në një pjesë të qytetit, përpara se stuhia të largohet nga rajoni të enjten.
Harvey konsiderohet si stuhia më e fortë që ka goditur Shtetet e Bashkuara në më shumë se një dekadë. Sipas një vlerësimi të publikuar në gazetën “New York Times” Harvey mund të shkaktojë një dëm prej 30 miliardë dollarësh.