Milani ka rikthyer Davide Calabria pas një testi negativ, por Fikayo Tomori do të duhet t’i nënshtrohet një operacioni në gju.
Ish-mbrojtësi i Chelseat ka pësuar një dëmtim kundër Genoas mbrëmjen e djeshme dhe sipas raportimeve të shumta në Itali, ai do t’i nënshtrohet një operacioni sot.
Milani do të lëshojë një deklaratë zyrtare pas operacionit, duke zbuluar ndoshta kohën e rikuperimit të lojtarit.
Tomori sapo ishte rikthyer në aksion pas testimit negativ për COVID në fillim të kësaj jave.
Stefano Pioli ka sërish mungesë opsionesh në qendërmbrojtjen pasi Simon Kjaer është përjashtuar për pjesën e mbetur të sezonit për shkak të një dëmtimi të ligamentit të kryqëzuar të përparmë.
Lëndimi i Tomorit nuk pritet të zgjasë deri në fund të sezonit, por ende nuk dihet koha e saktë e rikuperimit të tij.
Kuqezinjtë përballen me Spezian, Juventusin dhe Interin në tre ndeshjet e ardhshme në Serie A.
Sidoqoftë, mbrojtësi i tyre Davide Calabria është rikuperuar nga COVID, duke rezultuar negativ sot, kështu që ai ka të ngjarë të jetë i disponueshëm kundër skuadrës së Thiago Motta-s të hënën.