Situata e rëndë e krijuar nga zjarret në vend gjatë muajve të fundit, ka vënë në vështirësi autoritet shqiptare. Këto të fundit nuk kanë mundur dot t’ia dalin mbanë në fikjen e zjarreve, të cilët kanë pushtuar mbarë vendin.
E gjendur në këtë situatë, Shqipëria ka mundur të fitojë ndihmën e Komisionit Europian. Kështu, Komisioni Europian ka vendosur dje që të kontribuojë për shuarjen e flakëve të zjarrit në Shqipëri. Sipas vendimit të KE-së, Greqia do të dërgojë dy avionë shtesë në vendin tonë për të ndihmuar në luftën me zjarret. Avionët nga Greqia do të kontribuojnë përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile Europiane. Komisioneri qipriot për Ndihmën Humanitare dhe Menaxhimin e Krizave, Christos Stilianidis, përshëndeti këtë vendim të Komisionit Europian për ndihmën që i ofrohet Shqipërisë.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 11 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Shtabi i emergjencave civile raporton se janë duke e mbajtur situatën në monitorim të vazhdueshëm. Ndërkohë, mësohet se vazhdon të jetë aktiv zjarri në afërsi të Tunelit të Krrabës në aksin rrugor nacional Tiranë-Elbasan. Në vendngjarje është dërguar 1 automjet zjarrfikës si dhe 30 forca ushtarake.
Si pasojë e terrenit të thyer malor, operacioni i shuarjes së zjarrit në malin e Derjes në fshatin Shëngjergj të Tiranës po ndesh vështirësi. Në fshatin Maknor, Pezë, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre. Në vendngjarje shkuan 3 automjete zjarrfikëse me personelin përkatës dhe forca ushtarake, por nuk kanë arritur ta shuajnë zjarrin. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre.
Në fshatin Gjinar, të bashkisë Elbasan është ulur intensiteti i zjarrit të rënë pas ndërhyrjes së helikopterit por vatra është aktive, raporton shtabi i emergjencave civile. Në fshatin Madhesh, bashkia Burrel, zjarri i rënë ka qenë aktiv. Zjarrfikësit dhe forca ushtarake, të pyjores kanë punuar gjithë kohën, por nuk kanë mundur të izolojnë vatrat e zjarrit. Në fshatin Jorgucat, bashkia Dropull ka vazhduar zjarri i rënë, në një sipërfaqe me shkurre dhe kullotë, i cili ka kaluar më pas në fshatin Muzinë, bashkia Finiq.
Për shuarjen e zjarrit kanë punuar forca zjarrfikëse me automjete, forca ushtarake, dhe forca të bashkive Dropull, Finiq e Gjirokastër. Në operacione, në fshatin Muzinë, janë përfshirë edhe dy avionë të ardhur nga Greqia. Gjatë operacioneve kanë marrë plagë të lehta dhe 2 punonjës zjarrfikës, por pa rrezik për jetën e tyre. Zjarri ka kaluar në afërsi të “Syrit të Kaltër”, midis fshatit Muzinë dhe qytetit Delvinë ku ka nisur ndërhyrja me helikopter dhe forcat zjarrfikëse.
Një zjarr i madh ka rënë në mesditën e djeshme në zonën e Parkut të Liqenit në Tiranë. Mësohet se zjarri ka përfshirë një sipërfaqe me shkurre. Të sinjalizuar për zjarrin në vendngjarje ka mbërritur shërbimi zjarrfikës dhe ka nisur me urgjencë nga puna për izolimin e flakëve. Sipas Shërbimit Zjarrfikës nuk u rrezikuan bizneset dhe ndërtesat. Si pasojë e zjarrit, mësohet se është djegur në sipërfaqe e konsiderueshme me shkurre dhe pemë. Mësohet se për fikjen e flakëve janë angazhuar një numër i konsiderueshëm zjarrfikës.