Menaxhimi joadekuat i kombinatit metalurgjik “Trepça” dhe moszbatimi i Ligjit për Trepçën, thuhet të kenë futur këtë ndërmarrje në vështirësi të shumta financiare dhe kapacitete minimale prodhuese.
“Trepça” e cila ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi, tani është në fazën e mbijetesës dhe me probleme të mëdha. Që nga paslufta kjo ndërmarrje nuk arriti të rimëkëmbet, transmeton REL.
Janë bërë dy vjet prej kur Kuvendi i Kosovës pati miratuar Ligjin për Trepçën, me të cilin mëtonte ta rimëkëmbte dhe rivitalizonte ndërmarrjen. Por, si i tillë ky ligj nuk arrti të zbatohet në tërësi, për shkak të, siç thuhet, neglizhencës që treguan autoritetet e vendit karshi ndërmarrjes.
Në bazë të këtij ligji, pronësia e kompleksit u bart nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) te Qeveria e Kosovës, si aksionare kryesore me 80 për qind, kurse 20 për qind janë aksione të punonjësve të “Trepçës”.
Por, zgjedhjet e parakohshme dhe ndërrimi i qeverive në Kosovë kishin bërë që shumë procese lidhur me rimëkëmbjen e “Trepçës” të zvarriten.
Bordi mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça” i cili do të mundësonte zbatimin e ligjit u themelua 18 muaj pas miratimit të këtij ligji.