Sipas informatave të KMDLNj –së, të dënuar dhe të paraburgosur përkatësisht 40 të dënuar dhe dhjetëra të paraburgosur (janë solidarizuar me të dënuarit), nga data 20 prill 2020 kanë hyrë në grevë urie duke e refuzuar marrjen e ushqimit si revoltë dhe shprehje të pakënaqësisë që është refuzuar lirimi i tyre, qoftë i menjëhershëm apo edhe i përkohshëm.Revolten e shprehin kundër Qeverisë së Kosovës dhe Presidentit të Kosovës që nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për kërkesat e tyre apo kërkesat e OJQ-ve monitoruese dhe të cilat e kanë bërë një kërkesë të tillë. Të burgosurit në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, përmes një letre dërguar KMDLNj –së kanë deklaruar se janë të frikësuar për shëndetin e tyre dhetë familjeve aq më parë që më nuk kanë vizita dhe komunikimin me familje e bëjnë vetëm përmes telefonit dhe skyp-it. Ata deklarojnë se, në kohë të pandemisë po u shkelen të drejtat e njeriut që u takojnë si persona të privuar nga liria duke marrë shembull shtetet fqinje dhe ato evropiane që kanë ofruar shumë opsione për të burgosurit kurse Kosova nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
Të dënuarit i kanë deklaruar KMDLNj –së gjithashtu,se të zgjedhurit (politikanët) e Kosovës e kanë prioritet interesin e tyre për dallim nga të zgjedhurit e vendeve tjera që kanë treguar ndjeshmëri më të madhe për këtë kategori që vetëm përkohësisht janë të privuar nga liria. Të privuarit nga liria nuk kanë asnjë vërejtje ndaj stafit korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali e as ndaj drejtorit të kësaj qendre për të cilët shprehen pozitivisht por se kërkesa kryesore e tyre dhe e vetme për të cilën edhe kanë hyrë në grevë urie është falja e menjëhershme apo e përkohshme e dënimit si dhe miratimi i Ligjit për Amnisti.
KMDLNj ka kontaktuar Qendrën e Paraburgimit në Hajvali të cilët kanë deklaruar se një pjesë e të burgosurve është në grevë dhe se autoritetet e Qendrës së Paraburgimit në Hajvali po sillen me të privuarit nga liria në përputhje me rregullat e Grevës së Urisë e që ka qenë edhe kërkesë e KMDLNj-së.
KMDLNj shpreson dhe kërkon që të gjendet një zgjidhje për ata persona të privuar nga liria që i plotësojnë kushtet të lirohen menjëherë kurse për të tjerët e që kanë dënim afatgjatë të ketë falje të pjesshme. Ata të dënuar që rregullisht e shfrytëzojnë vikendin në shtëpi duhet të lëshohen në shtëpi për aq kohë sa zgjatë pandemia dhe pastaj të kthehen në vuajtje të dënimit të mbetur. Të moshuarit, të sëmurët me sëmundje të rënda dhe të pashërueshme, të miturit dhe femrat e dënuara duhet të kenë prioritet absolut.
KMDLNj kërkon që masa e paraburgimit të aplikohet vetëm si masë e skajshme dhe të zëvendësohet me masa alternative sikur që edhe disa dënime, gjithashtu duhet të zëvendësohen me masa alternative të dënimit.