Vazhdon seanca ndaj Pjetër Shalës, ai përsëri s’ndodhet fizikisht në sallë

Prishtinë | 03 Maj 2023 | 10:46 | Nga Ekonomia Online

Të mërkurën ka vazhduar seanca e radhës ndaj ish-ushtarit të UÇK-së, Pjetër Shala. Në këtë seancë, i pranishëm në sallë përsëri nuk ishte Shala.

Zyra e Prokurorisë do të vazhdojë me pyetjet kryesore, e më pas pyetje do të bëjë edhe mbrojtësi i viktimave por edhe pala mbrojtëse.

Për të tretën ditë me radhë, Pjetër Shala është duke e ndjekur seancën përmes video-lidhjes.

Dëshmitari, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Filippo De Minicis, tha se Xhemshit Krasniqin nuk e kishte parë herë të tjera, përveç kur e kishte marrë nga fabrika e metalit dhe ia kishte thënë emrin.

Tutje, ai tha se në dhomën ku ishin mbajtur të ndaluar nuk kishin pasur gjithmonë dyshekë për të fjetur.

Pas këtyre, prokurori De Minicis kërkoi që të kalohet në seancë private, pasi sipas tij do të diskutohet për persona të mbrojtur.

Më 25 prill, Shala e ka dorëzuar dosjen paraprake për gjykimin që po zhvillohet ndaj tij.

Ndryshe, gjatë muajit shkurt ka filluar gjykimi ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Në mars ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku deri më tani janë dëgjuar pesë dëshmitarë dhe po vazhdon dëgjimi të gjashtit.

Dëshmitari i parë ka filluar dëshminë e tij më 27 mars dhe e ka përfunduar më 28 mars, dëshmitarja e dytë ka filluar dëshminë më 28 mars dhe e ka përfunduar më 29 mars, dëshmitari i tretë ka filluar më dëshminë më 29 mars dhe e ka përfunduar më 30 mars, në të njëjtën ditë me dëshmitarin e katërt.

Kurse, dëshmitari i pestë e filloi dëshminë më 1 maj, ndërsa e përfundoi më 2 maj, ku edhe filloi dëshmia e dëshmitarit të gjashtë.

Këta dëshmitarë ishin paraparë të dëgjoheshin për pesë seanca, por meqë të njëjtit kanë përfunduar dëshmitë për katër ditë, seanca e 31 marsit 2023 nuk është mbajtur.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme