Fakulteti i Arteve i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Filarmoninë e Kosovës, kanë organizuar mbledhje komemorative në kujtim të dirigjentit të parë të Kosovës, Bahri Çela, i cili u nda nga jeta ditë më parë.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj tha se humbja e profesorit Bahri Çela është boshllëk që nuk zëvendesohet lehtë, raporton EkonomiaOnline.
“Profesor Çela ishte njeri me dije dhe kulturë të jashtëzakonshme, i afërt me student dhe kolegët e tij. Ai dha kontribut të madh në fushën e artit dhe shkencës. Vdekja e tij është humbje që lë boshllëk, jo lehtë të zëvendësueshëm”, tha ai.
Profesoresha Valbona Pula- Petrovci tha se historia e muzikës së Kosovës nuk guxon të mos e ketë emrin e profesorit Bahri Çela.
“Na zuri në befasi dhe na mërziti pa masë humbja e profesorit. Unë mësova shumë prej tij. Ishte dirigjenti i parë profesional në Kosovë, nëse shkruhet histori për muzikën në Kosovë, nuk bënë të shkruhet pa emrin e tij. Profesori kishte temperament unik dhe natyre shpeshherë eksplozive”, tha ajo.
Në këtë akademi përkujtimore përveç interpretimit të korit të Filharmonis së Kosovës të dirigjuar nga Rafet Rudi, në piano luajti edhe Bora Çela, mbesa e profesorit Bahri Çela, raporton EO.
Profesor Çela u nda nga jeta me 29 shtator të këtij viti.