Vdekja e Mujë Shalës, humbje e madhe për arsimin dhe shëndetësinë

Prishtinë | 14 Gus 2018 | 12:03 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Mjekësisë dhe Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (ShSKUK) kanë organizuar mbledhje komemorative me rastin e ndarjes nga jeta të profesorit Mujë Shala.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një telegrami ka ngushëlluar familjarët e profesorit Mujë Shala, duke thënë se ai dha një kontribut të madh për atdheun, në kohën e luftës, duke shërbyer si mjek për pjesëtarët e UÇK-së.

“Shpreh konsideratë të thellë për jetën dhe veprën e tij, familjarëve, stafit dhe studentëve u shpreh ngushëllime të thella”, ka shkruar Haradinaj, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, tha se ndihet krenar që ka njohur një njeri të tillë siç ishte Shala, i cili ka qenë doktor i përmasave të mëdha dhe kontributi i tij në fushën shkencore do të jetë i pazëvendësueshëm.

“Familje e nderuar, të gjithë ne që kemi pasur fatin ta njohim, jemi të bekuar dhe ndihemi krenarë që e kemi njohur një njeri të mirë, doktor të përmasave të mëdha në një kohë të zymtë në kohën tonë kur profesor Mujë Shala tregoi lartësinë e tij në përmasa ndërkombëtare”.

“Profesori Mujë Shala dha shembullin më të mirë të një doktori të përkushtuar që luftoi për mjekësinë tonë, gjatë luftës Muja ka qenë i angazhuar në UÇK në spitalin ushtarak në operativën e Drenicës që dha kontribut”, tha Bytyqi.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, tha se lajmin për vdekjen e hershme të profesorit Mujë Shala e priti me shumë tronditje.

“Sot ndajmë dhembjen me ju, ai ishte i juaji si bashkëshort, vëlla, baba, por veprat e tij janë të Kosovës, mijëra tregime të familjeve që janë të shpërndara në Kosovë me vite e të gjitha pak të ngjashme, kur fëmijën e kisha të sëmurë aty ishte një doktor i urtë që ma shpëtonte fëmijën, ai është krenaria juaj”, tha Ismaili.

Ismaili shtoi se Muja nuk ishte vetëm nje pediatër i mirë, por një njeri që dëshironte ta shihte Kosovën të shëndetshme.

“Sot Kosova, e sidomos shëndetësia, ka nevojë të inspirohet nga Muja, që kufijtë e tanishmes i ndryshoi për vizionin e së ardhmes”, tha Ismaili.

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Marjan Dema, tha se të gjithë personat që e njohën profesorin Shala do ta ndiejnë mungesën e tij, e cila për të do të jetë e pazëvendësueshme.

“Profesori Muja ishte një njeri me dije dhe kulturë të jashtëzakonshme që dinte të komunikonte me gjuhë dhe logjikë të mirësjelljes, i afërt me studentë dhe kolegë, prandaj të gjithë ne do ta ndiejmë mungesën e njeriut tonë”, tha Dema.

Dema tha se vdekja e tij është humbje që lë boshllëk të pazëvendësueshëm për familjarët, studentët, kolegët e sidomos fëmijët e vegjël, për të cilët ai dha shumë gjatë veprimtarisë tij në klinikën e pediatrisë.

Në emër të familjarëve të Mujë Shalës, foli djali i tij, Endrit Shala, i cili gjatë fjalimit të tij nuk e pati të lehtë të shprehej për vdekjen e babait.

“Në emër të familjes dhe gjithë fisit tonë ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen dhe falënderoj stafin e QKUK-së, e sidomos të Klinikës së Emergjencës dhe Intenzivës, që dhanë gjithçka për ta mbajtur babin tim në jetë”, tha Shala.

Të ngjashme