Të hënën në orët e hershme të mëngjesit në Qendrën Klinike Universitare të Shtutgartit të Gjermanisë në moshën 33 vjeçare ka ndërruar jetë pas një sëmundje të shkurtër e të rëndë Enver Islam Ejupi, nga fshati Vendenis (ish-Gllamnik) i Podujevës.
Enveri ishte specializuar në fushën e përpunim drurit, dhe si njohës i vërtetë i këtij zanati para tre vjetëve ai krijon marrëdhënie pune në Gjermani.
Meqë kishte fituar në Kosovë njohurit bazë të Gjuhës gjermane, ai shumë shpejt avancohet edhe në pozita udhëheqëse të punës.
Me natyrën e tij të butë dhe çdoherë i buzëqeshur adhurohej nga të gjithë.
Karakteristikë e tij e veçantë ishte që të ndihmonte njerëzit e moshuar dhe ata të sëmurë, sidomos kategorinë e atyre me nevoja të veçanta.
Edhe pse jo shumë gjatë në Gjermani, me sjelljet e tij të shkëlqyera jepte shembullin e shqiptarit bamirës dhe mirë të edukuar.
Andaj, vdekja e tij e hershme dhe e papritur i preku tej mase jo vetëm pjesëtarët e komunitetit, por edhe shokët e miqtë e shumtë gjermanë, qofshin ata bashkëpunëtorë të tij apo edhe fqinjë të rëndomtë.
Dhembja shtohet edhe më tepër kur dihet se Enveri, la pas vetës gruan dhe tre fëmijë të vegjël, transmeton Albinfo.ch.
E dje pasdite qindra llapjanë në mesin e tyre edhe shumë të ardhur nga Gjermania, Austria, Zvicra, Franca, Italia e Norvegjia u tubuan në varrezat e fshatit Vendenis (lagja Ejupi) ku në mes dhembjes dhe lotëve i dhanë lamtumirën e fundit djaloshit të vyeshëm dhe bujar Enver Islam Ejupi.