Vdes nga Coronavirusi shkrimtari i njohur nga Tetova

Prishtinë | 08 Nën 2020 | 13:30 | Nga Ekonomia Online

Ka vdekur nga Coronavirusi profesori dhe shkrimtari i mirënjohur nga Miletina e Tetovës, Latif Ajrullai.

Ai është mes katër viktimave që sot humbën betejën me Covid-19 në Tetovë, dhe 14 viktimave në gjithë vendin, shkruan TS.

“Me hidhërim të thellë njoftojmë largimin e papritur nga jeta të z. Latif Ajrullai, Presidentit të kompanisë ALBAS.

Z. Latif Ajrullai u largua nga ne në kulmin e veprimtarisë së tij, kur kompania që ai drejtonte, u bë një nga më të njohurat e më të suksesshmet në tregun e librit shqip.
I diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës për Kimi, Magjistër në Farmaci, për shumë vite ka punuar si profesor i kimisë. Ai iu përkushtua me pasion botimeve shkollore, si botues dhe autor, si përkthyes dhe autor i disa librave psikologjikë dhe shkencorë e artistikë”, thuhet në komunikatën e “Albas”.

Latif Ajrullai ka dhënë një kontribut shumë të shquar si Kryetar i Shoqatës së Botuesve të Teksteve Shkollore, për respektimin e konkurrencës së ndershme në tregun e librit, ka denoncuar hapur e me guxim çdo shkelje apo padrejtësi dhe ka ndikuar në përmirësimin e legjislacionit të teksteve shkollore.

Ajrullai ishte një biznesmen vizionar, që drejtohej sa nga përpikëria e fakteve, aq dhe nga zemra dhe dashuria për punën.

Puna dhe përkushtimi i tij do të mbeten dhe do të vlejnë për t’i çuar edhe më tej projektet e tij të lëna kaq brutalisht përgjysmë.

Të ngjashme