Vdes një i burgosur në Spitalin e Mushkërive në Pejë

Prishtinë | 06 Sht 2017 | 10:42 | Nga

Sipas informatave të KMDLNj-së, në Spitalin Rajonal të Pejës, rreth orës 01:25 në mëngjes ka ndërruar jetë i burgosuri H.G.

I burgosuri H.G. ka qenë i sëmurë rëndë dhe tërë kohën ka qëndruar në stacionarin e Burgut të Dubravës ndërsa ka qëndruar edhe në Spitalin Rajonal në Pejë dhe QKUK në Prishtinë.

“Për një kohë ka pasur ndërprerje të vuajtjes së dënimit pas së cilës është kthyer në Burgun e Dubravës. I burgosuri H.G. është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë me 29.08.2017. Gjatë qëndrimit në Spital në Pejë pranë tij kanë qenë anëtarët e familjes dhe i është ofruar trajtim shëndetësor mirëpo nuk është evituar vdekja”.

“Gjithashtu, duhet të theksohet se ka qenë në procedurë edhe një ndërprerje e vuajtjes së dënimit por se vdekja e të burgosurit H.G. nuk ka mundur të evitohet”.

“Trupi i pajetë është dërguar për autopsi ndonëse familja ka kërkuar që të mos bëhet autopsia por se Shërbimi Shëndetësor i Burgjeve ka kërkuar që të respektohet ligji dhe të bëhet autopsia”, thuhet ne njoftimin e KMDLNj.

KMDLNj e ripërsërit qëndrimin që të dënuarit që janë të sëmurë dhe pa mundësi të shërohen duhet të lirohen me procedurë të përshpejtuar dhe raste të tilla ka ende në Burgun e Dubravës dhe burgjet tjera.

Sipas KMDLNj-së nëse nuk ka mundësi të shërohen atëherë duhet t’iu mundësohet që ditët e fundit të jetës t’i kalojnë pranë familjarëve të tyre.

“Të drejtat e njeriut dhe humaniteti, në raste të caktuara duhet të jenë mbi Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Sikur në rastin konkret. KMDLNj i përkrahur nga KFOS do të vazhdojë monitorimin e të drejtave të personave të privuar nga liria me theks të veçante në lobimin për realizimin e këtyre të drejtave dhe rritjen e përgjegjshmërisë të autoriteteve kosovare për respektimin e këtyre të drejtave si dhe sigurimin e transparencës më të madhe. Në këtë kontekst KMDLNj ka bashkëpunim shumë të mirë me Policinë e Kosovës, Shërbimin Korrtektues të Kosovës dhe Shërbimin Spitalor të Burgjeve”,  thuhet në komunikatë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme