Ndahet nga jeta shkrimtari i madh shqiptar, Ismail Kadare

Prishtinë | 01 Kor 2024 | 09:06 | Nga Ekonomia Online

Shkrimtari i madh i letërsisë shqipe, Ismail Kadare, është ndarë nga jeta në moshën 88-vjeçare.

Siç raportojnë mediat në Shqipëri, Kadare ka vdekur mëngjesin e sotëm në spital.

Kandidati për Nobel në Letërsi, njihet si një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë, ai shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime.

Kadare lindi në Gjirokastër, më 28 janar të vitit 1936. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por kontributi i tij shtrihet edhe në dramaturgji, poezi dhe përkthime. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.

Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të ndryshme, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe nëpër botë.

Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar i përhershëm i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë. Është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare, mes të cilëve Çmimin «Man Booker International» më 2005, çmimin «Princ i Asturias» për Artet më 2009 dhe Çmimin «Jeruzalem» më 2015. Viteve të fundit ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Kadare u diplomua për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës dhe në vijim studioi në Institutin e Letërsisë Botërore “Maksim Gorki” në Moskë. Fillimet letrare të Kadaresë janë kryesisht në poezi (“Frymëzime djaloshare”, 1954; “Ëndërrimet”, 1957; “Shekulli im”, 1961; “Përse mendohen këto male”, 1964; “Motive me diell”, 1968; “Koha”, 1976). Me emrin e tij lidhet ardhja në letërsi e “brezit të viteve 1960”, që solli një frymë emancipimi të përgjithshëm në kulturën kombëtare. (TV Klan)

Të ngjashme