Vehapi: Nuk shoh konkurrent në Rahovec

Prishtinë | 30 Pri 2017 | 08:43 | Nga Jehona Zhuniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se është i gatshëm të rikandidojë përsëri për kryetar në këtë komunë në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e sivjetme.

“Kjo është pyetje që ndoshta më shumë duhet t’ia bëni subjektit politik. Këtu e kemi degën në Rahovec, është kryesia qendrore, është kryetari i partisë, rregullat statusore; unë jam i gatshëm nëse ata mendojnë që mundem ta kryej këtë obligim. Jam i gatshëm të vazhdoj”, ka thënë ai.

Por, Vehapi deklaron se nuk e sheh asnjë konkurrent ndaj tij për kryetar në Komunën e Rahovecit.

“Rivalë janë të gjithë ata që hyjnë në lojë, sepse nuk mund të quhen ndryshe. Përndryshe konkurrent nuk e besoj se është dikush”, ka pohuar ai.

Kryetari Vehapi në këtë intervistë ka folur edhe për projektet të cilat janë realizuar prej marrjes së mandatit të tij në këtë komunë, duke përmendur infrastrukturën rrugore, atë shkollore si dhe çështjen e subvencioneve dhe granteve.

“Duke ditur përgjegjësitë dhe obligimet që kanë komunat, ne kemi vazhduar të punojmë kryesisht në fushën e infrastrukturës me rrugë të lokaliteteve të ndryshme, pastaj edhe kanalizimet, kemi punuar pak edhe te çështja e ujësjellësit, janë edhe disa vende të cilat presim këtë vit të bëhet inaugurimi i ujësjellësve. Kemi punuar edhe në fushën e infrastrukturës shkollore, kemi ndërtuar dy shkolla. Ndërkaq një tjetër është në ndërtim e sipër në fshatin Kramovik edhe premtimet tjera që janë dhënë në fushatën lokale, por që janë bërë nga niveli qendror në fushën e bujqësisë ato premtime të gjitha janë të realizuara sa i përket fushës së subvencioneve dhe granteve”, ka thënë ai.

Vehapi e pranon se projekti i premtuar nga ai për ujërat e zeza nuk fo të realizohet as sivjet. Ai thotë se Komuna nuk mund ta përballojë pasi që kushton rreth 10 milionë euro, duke shtuar se ky projekt do të mbetet të realizohet në mandatin tjetër.

“Projektet infrastrukturore të cilat ne i kemi folur në fushatë dhe janë projekte të kushtueshme, sa i përket ujërave të zeza që është një problem në tërë Kosovën edhe në atë drejtim kemi punuar, jemi shumë afër një donacioni austriak për të cilin duhet fillimisht të garantoj niveli qendror, qeveria qendrore, është projekt i cili komunës sonë do t’i kushtojë rreth 10 milionë euro, i cili është i papërballueshëm për buxhetin komunal. Do të shohim mandatin tjetër të rrumbullakohet dhe të përfundohet ky projekt”, ka deklaruar Vehapi.

INTERVISTA E PLOTË:

EO: Kryetar e dimë që këtë vit do të mbahen zgjedhjet lokale po më intereson të di cilat janë ato projekte që i keni realizuar deri tash prej marrjes së mandatit tuaj në Komunën e Rahovecit?

Vehapi: Duke ditur përgjegjësitë dhe obligimet që kanë komunat ne kemi vazhduar të punojmë kryesisht në fushën e infrastrukturës me rrugë të lokaliteteve të ndryshme, pastaj edhe kanalizimet, kemi punuar pak edhe të çështja e ujësjellësit, janë edhe disa vende të cilat presim këtë vit të bëhet inaugurimi i ujësjellësve, kemi punuar edhe në fushën e infrastrukturës shkollore, kemi ndërtuar dy shkolla, ndërkaq një tjetër është në ndërtim e sipër në fshatin Kramovik. Edhe premtimet tjera që janë dhënë në fushatën lokale por që janë bërë nga niveli qendror në fushën e bujqësisë ato premtime të gjitha janë të realizuara sa i përket fushës së subvencioneve dhe grandeve.

EO: A ka projekte që keni menduar ti realizoni dhe që ende nuk keni filluar?

Vehapi: Projektet infrastrukturore të cilat ne i kemi fol në fushatë janë projekte të kushtueshme, sa i përket ujërave të zeza që është një problem në tërë Kosovën edhe në atë drejtim kemi punuar, jemi shumë afër një donacioni austriak, për të cilin duhet fillimisht të garantoj niveli qendror, qeveria qendrore, është projekt i cili komunës sonë do t’i kushtojë rreth 10 milionë euro, i cili është i papërballueshëm për buxhetin komunal. Do të shohim mandatin tjetër të rrumbullakohet dhe të përfundohet ky projekt.

EO: A ka gjasa që ky projekt me mbet edhe për mandatin tjetër?

Vehapi: Po ky është projekt që besoj se do të filloj mandatin tjetër. Është projekt shumë i kushtueshëm kolektori i të gjithë ujërave të zeza të Komunës së Rahovecit. Edhe këto projekte mund të realizohen vetëm me ndonjë ndihmë nga institucionet financiare, do të thotë jo vendore sigurisht, sikurse është rasti me kolektorët që parashihet për Prizrenin, pastaj komunat e mëdha që janë: Peja, Gjakova e që donacione janë kryesisht të huaja.

EO: Përpos këtij projekti a ka edhe projekte të tjera që mund të mbesin për mandatin tjetër?

Vehapi: Po, projekte do të ketë plotë, jo vetëm për mandatin tjetër, por edhe për mandate të tjera, sepse vazhdimisht do të ketë punë të reja dhe do të punohet. Por prej atyre premtimeve që i kemi pas në fushatë elektorale, ne kemi realizuar shumicën e atyre premtimeve, bile disa realizime edhe nuk i kemi përmend fare që do të kryhen në këtë mandat. Në këtë rast mund ta përmendi ndërtesën e objektit shkollor “Isa Boletini” në qytetin e Rahovecit, që ne kemi pas një kërkesë në Komisionin Evropian dhe me buxhet të Komisionit Evropian është ndërtuar objekti i shkollës fillore këtu në qytetin e Rahovecit.

EO: Kur jemi te projektet po më intereson të di çfarë është duke ndodhur me Palestrën Sportive. E dimë që punimet nëse mund të them ashtu janë zvarritur për shumë vjet. A mund të presim që kjo palestër të përfundohet këtë vit?

Vehapi: Palestra Sportive është një projekt, i cili i takon nivelit qendror. Ka shumë vite që ka filluar, komuna këtu nuk e ka asnjë përgjegjësi, do të thotë komuna përgjegjësitë e veta i kryen në momentin kur jep leje të ndërtimit dhe leje tjera që kërkohen sipas procedurave ligjore, ndërkaq investimi është i nivelit qendror. Të gjithë e dimë tani më kjo është bërë një temë mjaftë komplekse, këtu për qytetin tonë ka pasur ndërprerje të punimeve, ka pasur prerje të punimeve, ka pasur shpallje, rishpallje të tenderëve, ato i din ministria më mirë, por unë besoj se nuk kanë mbetur edhe shumë punë dhe shpresoj që këtë vit do të përmbyllet edhe kjo çështje.

EO: Çka ka mbetur konkretisht pa u përfunduar, cilat janë ato punë që duhet të kryhen?

Vehapi: Ajo pjesa e brendshme e sallës, do të thotë është parketi, pastaj infrastruktura përcjellëse, tribunat edhe elementet tjera shtesë që i duhen një salle të sporteve.

EO: U përmendën më herët disa projekte. A e keni pasur përkrahjen e nivelit qendror për projekte kapitale në komunën tuaj?

Vehapi: E kemi pas përkrahjen e nivelit qendror, sepse buxheti i komunave që ndahet është i përcaktuar, do të thotë me bazë të cilës është formulu, që nuk mundemi më thënë se jemi diskriminuar, për shkak se buxheti ndahet për numër të banorëve, për sipërfaqe të territorit dhe ne e kemi marrë atë hisen që na ka takuar, pastaj niveli qendror ka ndarë mjete edhe për disa projekte të tjera kryesisht, këtu mund ta përmendi Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Arsimit të cilat kanë ndihmuar më së shumti në Komunën e Rahovecit, por besoj edhe në komunat tjera.

EO: E dimë që Komuna e Rahovecit është e njohur për prodhime bujqësore. Sa është punuar në zhvillimin e bujqësisë në këtë rajon dhe cilat janë problemet me të cilat po ballafaqohen bujqit e Komunës së Rahovecit?

Vehapi: Po, për zhvillimin e bujqësisë tani atë barrën kryesore e bartë Ministria e Bujqësisë. Të gjithë e dimë që buxheti është ai i koncentruar në Ministrinë e Bujqësisë edhe që nga viti 2014 të gjithë fermerët e Kosovës, në këtë rast pasi që shumica e sipërfaqeve të vreshtave është në Komunën e Rahovecit, për çdo hektar i marrin nga një mijë euro në vit, pastaj përveç kësaj ministria ndan edhe grante për ngritjen e sipërfaqeve të reja të plantacioneve me vreshta, por edhe me pemë, ndihmon sektorin e perimeve për çdo hektarë nga 300 euro, pastaj edhe për drithërat e bardha është një tarifë që paguhet për sipërfaqe të tokës, paguan pastaj blegtorët dhe subvencionohen për krerë të bagëtive që i kanë. Unë besoj se krahasuar me vitet më herët është një kthesë shumë e mirë në bujqësi, dhe aty mund të shihni që, monitorimin të cilin e ka bërë Instituti GAP, premtimet që janë bërë në Komunën e Rahovecit sa i përket fushës së bujqësisë janë të realizuara 100 për qind.

EO: I përmendëm më herët zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë vit. A do të kandidoni përsëri për kryetar të Komunës së Rahovecit?

Vehapi: Kjo është pyetje që ndoshta më shumë duhet t’ia bëni subjektit politik. Këtu e kemi degën në Rahovec, është kryesia qendrore, është kryetari i partisë, rregullat statusore, unë jam i gatshëm nëse ata mendojnë që mundem ta kryej këtë obligim, jam i gatshëm me vazhduar.

EO: A është diskutuar në Degën e PDK-së këtu në Rahovec ndonjëherë rikandidimi juaj për kryetar të Komunës së Rahovecit?

Vehapi: Jo nuk është diskutuar asnjëherë, nuk ka qenë pikë e rendit të ditës në Degën e PDK-së këtu në Rahovec, për faktin se ka ende kohë. Afati për zgjedhje lokale është vjeshta, muaji tetor ose nëntori, nëse i referohemi mandatit katër vjeçar mbetet me u diskutuar. Nëse unë jam i denjë me vazhdu, vendos Kryesia e degës, pranohet kërkesa e Kryesisë së degës në nivelin qendror, jam i gatshëm me vazhduar.

EO: Cilën parti e shihni si rivale për kryetar komune apo cilin kandidat?

Vehapi: Rival janë të gjithë ata që hyjnë në lojë, sepse nuk mund të quhen ndryshe. Përndryshe konkurrent nuk e besoj se është dikush.

EO: Do të thotë mendoni se nuk ka konkurrent ndaj jush?

Vehapi: Për fitore jo si parti, kështu pa koalicione jo.

EO: Të ndalemi pak te qeverisja qendrore, jemi duke parë që çështja e kufirit me Malin e Zi ka bërë që pozitë-opozitë të kenë konfrontime për këtë marrëveshje, a mendo që kjo marrëveshje duhet të ratifikohet në Kuvend?

Vehapi: Nëse Komisioni që ka qenë përgjegjës për të kryer punën sa i përket kësaj marrëveshje e ka kryer punën sipas ligjeve, kushtetutës, materialeve dhe e ka kryer punën ekzakt për territorin e vendit unë mendoj që duhet të ratifikohet, nëse ka çështje që mund të diskutohen prapë dhe me pa që vendi, a po humb tokë apo jo, është çështje që mund të diskutohet. Do të thotë, këtu nuk ka dikush që, jam i bindur, që s’ka as politikanë, as qytetarë në Republikën e Kosovës që do të jetë pro dhënies së tokës, jo për viza, por për asgjë tjetër, por nëse Komisioni e ka kryer punën si duhet pse mos u ratifiku marrëveshja . Unë po ju them që nuk e di saktësisht, nuk jam as ekspert i asaj fushe, por njëkohësisht nuk jam as banor i zonës dhe nuk e di se si është çështja kështu korrekte, mirëpo komisionet profesionale duhet me kryer këtë punë.

EO: A duhet t’i japim dikujt tokë në këmbim të vizave?
Vehapi: Jo për viza, por për asgjë tjetër toka nuk jepet.

EO: Jemi duke dëgjuar zëra që koalicioni shumë shpejtë do të prishet dhe vendi do të shkojë në zgjedhje, a mendo që çështja e demarkacionit do të jetë njëra prej pikave që do të qoj deri në prishje të koalicionit?

Vehapi: Jo unë për këtë çështje nuk do të kisha fol besoj se kjo më shumë i takon krerëve të partive politike dhe partnerëve të koalicionit me bisedu për këtë çështje. Unë mundem me biseduar vetëm për koalicionin këtu në komunë që e kemi që po funksionon shumë mirë dhe do të vazhdojë.

EO: E përmendet koalicionin këtu në Rahovec çka nëse në zgjedhjet lokale do të ketë prapë nevojë të ketë koalicion. A do ta bëni prapë një gjë të tillë?

Vehapi: Patjetër. Koalicionet janë normale, sepse duhet çdo herë asambletë, ose kuvendet me pas një numër të mjaftueshëm për të kaluar çështjet me interes për qytetarët dhe koalicionet janë normale. Unë jam ithtar i koalicioneve, kur lehtësohet puna edhe punët kryhen më shpejtë, pa pritje, pa zhurma e kështu me radhë.

Të ngjashme