Vela reagon pasi Serbia shfaqi raketat kineze, po rrezikohet paqja në rajon

Prishtinë | 30 Pri 2022 | 20:49 | Nga Ekonomia Online

Blerim Vela, shefi i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Twitter tha se Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë.

“Serbia zbuloi publikisht sistemin e raketave kundërajrore me rreze të gjatë K-3 të marrë së fundmi nga Kina. Serbia është i vetmi vend evropian që pranon dhe operon një sistem të tillë armësh kineze. Serbia po furnizohet ushtarakisht me shpejtësi dhe po rrezikon paqen në rajonin tonë”, ka shkruar Vela.

Këtë të shtune të 30 prillit, në aeroportin ushtarak Milenko Pavloviç në Batajnicë po mbahet demonstrimi i aftësive të ushtrisë serbe me emrin “Mburoja 2022”, shkruan Albanian Post.

Vend qendror në ekspozitën e pajisjeve ushtarake zë sistemi kinez i raketave kundërajrore me rreze të mesme veprimi “FK-3”, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishte i pranishëm në demonstrimin e aftësive të ushtrisë serbe.

Po ashtu është prezantuar për herë të parë sistemi “FC-3”, një nga sistemet kundërajrore më moderne.

Janë shfaqur edhe rreth 60 avionë, më shumë se 300 armë dhe pajisje ushtarake, si dhe trajnimi i njësive speciale të ushtrisë serbe.

Më 10 prill, mediat dhe ekspertët ushtarakë njoftuan se gjashtë avionë transporti Y-20 të Forcave Ajrore Kineze ateruan në aeroportin civil të Beogradit herët të shtunën, duke raportuar se mbanin sisteme raketore tokë-ajër HQ-22 për ushtrinë serbe.

Avionët kinezë të mallrave me shenja ushtarake u fotografuan në aeroportin Nikola Tesla të Beogradit. Ministria e Mbrojtjes e Serbisë nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës së AP për koment.

Edhe pse Serbia ka votuar në favor të rezolutave të OKB-së që dënojnë sulmet e përgjakshme ruse në Ukrainë, ajo ka refuzuar t’i bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër aleatëve të saj në Moskë ose të kritikojë drejtpërdrejt mizoritë e dukshme të kryera nga trupat ruse atje.

Në Perëndim ka frikë se armatosja e Serbisë nga Rusia dhe Kina mund të inkurajojë vendin ballkanik drejt një lufte tjetër, veçanërisht kundër ish-krahinës së saj të Kosovës që shpalli pavarësinë në vitin 2008. Serbia, Rusia dhe Kina nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve perëndimore e bëjnë këtë.

Të ngjashme