Veliaj: Do të rindërtojmë të gjitha shtëpitë e dëmtuara sot

Prishtinë | 26 Nën 2019 | 10:00 | Nga Ekonomia Online

Bashkia e Tiranës do të rindërtojë të gjithë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i sotëm. Premtimi është dhënë nga kryebashkiaku Erion Veliaj në mbledhjen e Shtabit të Emergjencave ku deklaroi se sikurse në rastin e tërmetit të 21 shtatorit, edhe në këtë rast, do të nisë menjëherë rindërtimi.

“Jam i sigurt që siç menaxhuam tërmetin e datës 21, ku në fakt këtë fundjavë bëhemi gati për të hapur shtëpitë e para të reja, me të njëjtin vullnet dhe me të njëjtin njerëzillëk dhe dashuri, do punojmë edhe për shtëpitë e tjera që të sigurohemi që mbaruam ato të tërmetit të parë, të rifillojmë ndërtimet e këtij të dytit , pa humbur fare kohë dhe të sigurohemi që Viti i Ri na gjen në këmbë. Ky qytet që tani po mbush 100 vjet i ka parë të gjitha, ka parë edhe si rrëzohemi dhe rrënohemi, kemi parë edhe si ngrihemi dhe rikuperohemi. U rrëzuam në orën 4 të mëngjesit, ka rëndësi të rikuperohemi sot gjatë ditës dhe në vazhdim”, deklaroi Veliaj, raporton rtsh.

Veliaj theksoi se në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak do të jepet shpërblimi edhe për 500 familjet e prekura nga tërmeti i shtatorit.

“Dua që të njoftoj se do kemi një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak, ku kemi planifikuar kalimin e 500 pagesave për 500 familje të dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit. Me shumë gjasë janë familje ose janë ato shtëpi që janë ridëmtuar, ndaj ndihma sot në kesh, në para vjen në momentin e duhur për t’iu gjendur pranë këtyre familjeve, 500 familjeve të Tiranës”, tha Veliaj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme