Kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë për menaxhimin e deponive në Kosovë (KMDK), Dardan Velija, ka thënë se gjetjet e raportit të fundit të auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit për nënshkrimin e një kontrate në vitin 2021 për mirëmbajtjen dhe riparimin e deponive, me vlerë mbi 958 mijë euro, janë kryer nga menaxhmenti i mëparshëm, raporton Ekonomia Online.
Velija ka thënë se këto gjetje janë shqetësuese dhe kërkojnë veprime të menjëhershme për “të mbrojtur fondet publike”.
“Kontrata në fjalë është iniciuar dhe zbatuar nga menaxhmenti i mëparshëm, para se unë të merrja këtë pozitë. Megjithatë, si kryeshef ekzekutiv aktual, e pranoj plotësisht përgjegjësinë time për të siguruar që këto çështje të adresohen, që llogaridhënia të zbatohet dhe që masat korrigjuese të ndërmerren menjëherë. Kontrata në fjalë është iniciuar dhe zbatuar nga menaxhmenti i mëparshëm, para se unë të merrja këtë pozitë. Auditimi ka zbuluar parregullsi serioze në një kontratë për mirëmbajtjen dhe riparimin e deponive, duke përfshirë tejkalime të mëdha të kostove të kontraktuara, me një shumë prej gati 958,189 euro”, tha Velija
Velija tha se si kryeshef i KMDK-së nuk do të tolerojë më keqpërdorimin e fondeve apo korrupsionin në asnjë nivel brenda kësaj kompanie.
“Në dritën e këtyre gjetjeve, dua t’ju siguroj se po ndërmarrim hapa të sigurt dhe transparente për të rregulluar këto çështje dhe për të garantuar që ato nuk do të përsëriten më. Rishikim i plotë i brendshëm – Prej kur kam ardhur, kam marrë masa për shtimin e kontrollit të brendshëm. Si pjesë e këtij angazhimi është edhe ky auditim. Bashkëpunim me Autoritetet – Kemi bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojmë plotësisht me ZKA, Institucionet e Rendit, Agjencinë kundër Korrupsionit dhe çdo institucion tjetër relevant për të ndihmuar në hetimin e plotë të çështjes”, tha Velija.
Kujtojmë, që ish-kryeshefi i KMDK-së, ish-drejtori, ish-menaxheri dhe pesë zyrtarë të tjerë të cilët deri më sot kanë punuar në këtë kompani dhe janë pezulluar nga puna për nënshkrimin e një kontrate në vitin 2021 për mirëmbajtjen dhe riparimin e deponive, me vlerë mbi 958 mijë euro.
Kjo kontratë sipas kryeshefit ka tejkaluar limitin e lejuar ligjor prej 30 për qind.
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), disa ditë më parë ka shpalosur gjetjet mbi parregullsitë në KMDK, duke rezultuar në pagesa për punë të pa dokumentuara dhe miratime të paautorizuara për shërbime pa nënshkrimet e nevojshme.