Veliu e konsideron vitin 2019 të suksesshëm në luftën kundër abuzimit me droga dhe trafikimit

Prishtinë | 26 Qer 2020 | 11:58 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e datës 26 qershor, Ditës Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Droga dhe Trafikimit të Paligjshëm, Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, tha se gjatë vitit 2019, Kosova ka arritur një progres të theksuar në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës.

Veliu gjithashtu theksoi rëndësinë e kësaj dite si rast për të edukuar publikun, për të mobilizuar vullnetin politik dhe burimet në adresimin e problemeve globale, si dhe për të festuar dhe përforcuar arritjet e njerëzimit kundër këtij fenomeni të dëmshëm shoqëror.

Në vijim gjeni të plotë adresimin e Ministrit Veliu:

Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e vitit 1987 kishte përcaktuar 26 qershorin Ditë Ndërkombëtare Kundër Abuzimit me Drogë dhe Trafikimit të Paligjshëm, si një shprehje të vendosmërisë për të përforcuar veprimin e gjithëmbarshëm dhe bashkëpunimin në ndërtimin e një shoqërie ndërkombëtare pa abuzim me drogë.

Tema e Ditës Ndërkombëtare 2020 kundër Abuzimit me Drogën dhe Trafikimin e Paligjshëm, “Njohuri më të Mira për Kujdes më të Mirë”, përqendrohet në nevojën për të përmirësuar të kuptuarit e problemit botëror të drogës, por edhe të nxjerrjes së njohurive më të mira për nxitjen e bashkëpunimit më të madh ndërkombëtar për të kundërshtuar ndikimin e tij në shëndet, qeverisje dhe në siguri.

Ditët ndërkombëtare janë raste për të edukuar publikun e gjerë për çështje shqetësuese, për të mobilizuar vullnetin politik dhe burimet në adresimin e problemeve globale, si dhe për të festuar dhe përforcuar arritjet e njerëzimit kundër këtij fenomeni të dëmshëm shoqëror.

Gjatë vitit 2019, Kosova ka arritur një progres të theksuar në luftën kundër abuzimit dhe trafikimit të paligjshëm të drogës. Ministria e Punëve te Brendshme mbetet edhe më tutje e përkushtuar për të vazhduar luftën e pa kompromis kundër kësaj dukurie negative dhe për përkrahjen e të gjitha institucioneve relevante të zbatimit të ligjit në ketë drejtim.

Të ngjashme