Lidhja Demokratike e Kosovës po pret certifikimin e rezultateve përfundimtare për të marrë vendim në organet e partisë nëse do t’i bashkohet Vetëvendosjes në një koalicion të mundshëm qeverisës, apo PAN-it, ani pse për këtë të fundit, zyrtarë të LDK-së thonë se aktualisht është e përjashtuar për një koalicion të mundshëm qeverisës.
Nënkryetari i LDK-së Agim Veliu, tha se LDK do të marrë vendimin më të mirë për vete dhe se nuk do t’i bëhet patericë askujt.
Por ai thekson se ende nuk kanë vendosur as për koalicionin PAN e as për Vetëvendosjen për të bërë koalicion, sepse për këtë do të vendosin organet e LDK-së, në momentin e certifikimit të rezultateve.
Veliu thotë se çfarëdo vendimi që do të sjellin organet e LDK-së ata do të do të veprojmë respektojnë.
“Sipas disponimit aktual ende nuk kemi vendosur, as për PAN-in, as për Vetëvendosjen. Ne do ta shqyrtojmë shumë mirë, do ta lexojmë rezultatin e këtyre zgjedhjeve dhe do të vendosim atë që është më e mira për LDK-në”, ka shtuar ai, shkruan Gazeta Metro.
Ai ka thënë se jo me çdo kusht LDK do të hyjë në qeverisje.
“Nuk do të thotë që është opsion Vetëvendosja. Ne e kemi thënë që jo me çdo kusht LDK do të tentojë të hyjë në qeveri, do ta ndjek rrugën e cila është më e mira për LDK-në”, ka vlerësuar ai.
“Do ta marrë vendimin që është më i miri për LDK-në kësaj here dhe nuk do t’i bëhet patericë askujt”, ka shtuar Veliu.