Komuna e Podujevës ka vazhduar programin e subvencionimeve në bujqësi, duke shpërndarë nga pesë shoqëri bletësh 100 bletarëve llapjanë. Ato i ka shpërndarë në mënyrë solemne të mërkurën kryetari i Podujevës, Agim Veliu.
Ai me këtë rast ka thënë se krahas mbështetjes së sektorëve të tjerë në bujqësi, viteve të fundit Komuna e Podujevës ka vendosur në prioritetet e saj mbështetjen për bletarët llapjanë, shkruan sot Koha Ditore.
“Sot bëmë shpërndarjen e 500 shoqërive të bletëve për 100 bletarë. Krahas mbështetjes me shoqëri bletësh, jemi në përfundim të procedurave edhe për përkrahjen e 100 bletarëve të tjerë me pajisje të bletarisë”, ka thënë Veliu.
Ai u ka premtuar bletarëve llapjanë se përveç mbështetjes në rritjen e shoqërive të bletëve dhe pajisjeve për punë, Drejtoria e Bujqësisë, do të angazhohet edhe në programe për promovimin e brendit “Mjalti i Llapit”, duke organizuar panaire të ndryshme dhe programe të tjera të promovimit. Ndryshe, të mërkurën u janë shpërndarë bletët 20 përfituesve, ndërsa gjatë ditëve të ardhshme do të shpërndahen edhe për përfituesit e tjerë.