Florentin Pogba, vëllai i madh i yllit të Manchester Unitedit, Paul Pogba, është sulmuar nga bashkëlojtarët e zemëruar të Gençlerbirligit të dielën, pasi kishte braktisur fushën dhe e kishte lënë skuadrën me një lojtar më pak, raportojnë mediumet turke.
Pogba është konfrontuar në zhveshtore me disa bashkëlojtarë pas humbjes 1:0 në shtëpi nga Antalyaspori, kanë bërë të ditur agjencia e lajmeve “Dogan” dhe gazeta sportive “Fanatik”, shkruan Koha Ditore.
Sigurimi dhe zyrtarët e klubit është dashur të intervenojnë për të shpëtuar Pogban.
Mbrojtësi kishte hequr fanellën dhe ishte larguar nga fusha në minutën e 88-të të ndeshjes, kur skuadra ishte në disavantazh prej një goli pas një fjalosjeje me një bashkëlojtar.