Vendet e Ballkanit në faza të ndryshme të integrimit në BE

Prishtinë | 15 Maj 2019 | 08:49 | Nga Ekonomia Online

Caku i orientimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor është anëtarësimi në Bashkimin Evropian, por vendet e këtij rajoni nuk kanë bërë hapa të njëjtë në rrugën e integrimeve evropiane dhe për më shumë, rruga e Kosovës drejt BE-së është më delikate dhe më specifike, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane.

Sipas tyre, në rast se Strategjia e Zgjerimit e BE-së merret si pikë reference, aty mund të shihet një lloj i grupimeve të vendeve, sipas nivelit të avancimit në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Taulant Kryeziu nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK), thotë për Radion Evropa e Lirë, se aktualisht, në kuadër të Ballkanit Perëndimor janë dy liderë që prijnë për sa i përket avancimit në rrugën drejt BE-së, Mali i Zi dhe Serbia, të cilët i kanë hapur negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian dhe atyre u është përmendur viti 2025, si mundësi e anëtarësimit. Por, sipas tij, Serbisë i mbetet kusht Kapitulli 35, që nënkupton normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën. Në grupin e dytë janë Maqedonia dhe Shqipëria, ndërkaq të fundit janë Bosnjë e Hercegovina dhe Kosova.

Sipas tij, pas Marrëveshjes së Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për emrin e kësaj të fundit, tashmë është krijuar një moment i mirë për Maqedoninë e Veriut në rrugën e integrimeve të saj evropiane, por jo edhe për Shqipërinë.

“Ka një moment pozitiv që Maqedonia e Veriut të hapë negociatat me Bashkimin Evropian për anëtarësim. Ndërsa, Shqipëria nuk është në momentin që e ka Maqedonia e Veriut. Ekzistojnë probleme në Shqipëri. Opozita nuk është pjesë e Parlamentit dhe jeta politike atje tanimë është jashtëzakonisht e vështirësuar. Pastaj, problemet që kanë me krim të organizuar dhe me korrupsion, shqetësimet, të cilat reflektuan edhe në kërkesën e Parlamentit të Holandës për t’u kthyer regjimi i vizave për Shqipërinë. Pak a shumë ky është pasqyrimi. Ndërsa Kosova është ende i vetmi vend, i cili as nuk ka aplikuar për statusin e kandidatit”, theksoi Kryeziu.

Të ngjashme