Vendet ku kosovarët mund të udhëtojnë pa viza janë: Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Serbia, Gambia, Senegali, Ishujt Kuk, Mikronezia, Niue, Dominika, Haiti, Ishujt Shën Vinsent, Ekuadori dhe Turqia.
Shumica e vendeve ku kosovarët mund të udhëtojnë pa kërkuar viza, janë vende të vogla ose ishuj në Oqeani. Sipas Indeksit “Henley Passport”, e cila është një uebfaqe e specializuar e pasaportave, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza me pasaportën e vendit të tyre në 14 shtete të tjera të botës.
Në Evropë, për kosovarët nuk kërkohet viza nëse udhëtojnë drejt shteteve fqinje të saj: Maqedonisë Veriore, Serbisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi, raporton Insajderi.
Po ashtu kosovarët mund të udhëtojnë pa viza edhe në Turqi.
Ndërkaq, sipas raportit të “Henley Passport”, të publikuar ditë më parë, pa viza kosovarët mund të vizitojnë edhe shtetin e Amerikës Jugore, Ekuadorin.
Përveç Turqisë, në listë janë edhe shtete afrikane si Gambia e Senegali.
Por, janë edhe 27 shtete të tjera të botës ku kosovarët mund të udhëtojnë e më pas të marrin vizë; vizë e cila ka emërtimin si “vizë në mbërritje”, në afat prej 30 ditësh. Ndër këto vende janë Republika Islamike e Iranit, Togo, Jordani e Xhamajka.
Sipas “Henley Passport”, fuqia e pasaportës kosovare është e 100-ta në botë.
Ndërsa, pasaporta e Shqipërisë renditet në vendin e 52-të në botë, sipas numrit të vendeve që mund të udhëtojnë pa viza. Qytetarët e Shqipërisë mund të udhëtojnë pa viza në 112 shtete të botës.