Dhuna në familjet kosovare vazhdon të konsiderohet si “fryt i demokracisë”. Sipas Policisë së Kosovës dhe organizatave që mbrojnë gratë, 385 gra kanë qenë viktima të dhunës në familje brenda këtij viti, ndërsa dy raste kanë përfunduar me fatalitet: burrat i kanë vrarë gratë. Femrat kosovare vazhdojnë të mbesin pa mbështetje institucionale, ndërsa për gjithë këto viktima brenda 9 muajve të këtij viti nuk është dënuar asnjë dhunues. Ka shumë gra që e durojnë “dajakun’” dhe nuk e raportojnë
Dhuna në familjet kosovare vazhdon të mbetet e pranishme në të gjitha klasat e shoqërisë, madje në shumë raste edhe të arsyetohet nga rrethi.
Dhuna brenda familjes ka shkuar deri në fatalitet sa që dy burra kanë vrarë gratë për shkak të xhelozisë apo problemeve të tjera sociale.
E në anën tjetër, sistemi i drejtësisë tregohet shumë i brishtë për t’u marrë me këtë çështje e cila ka shqetësuar jo vetëm shoqatat që merren me mbrojtjen e grave, por edhe qytetarët dhe bashkësinë ndërkombëtare e cila është e pranishme në Kosovë.
Madje brenda nëntë muajve të këtij viti asnjë qytetar nuk është dënuar për dhunë në familje.
Sipas statistikave që ka siguruar “Zëri”, në të dyja rastet e vrasjes së rëndë në këtë vit, viktima janë femrat.
Po ashtu janë 385 gra që kanë qenë viktima të dhunës në familje prej 510 rasteve të paraqitura në gjashtëmujorin e vitit 2016.
Ndërsa, në vitin 2015 kanë qenë të raportuara 1179 raste të dhunës në familje, prej tyre në 930 raste kanë qenë viktima gratë.
Këto statistika flasin vetëm për rastet që janë raportuar në Polici, ndërsa shoqatat e grave thonë se ka shumë gra që e “durojnë dajakun” dhe nuk e raportojnë, për arsye që ta mbrojnë familjen.