Kriza e koronavirusit në Republikën Çeke është tani në një situatë aq kritike, deri në atë pikë sa kryeministri, Andrej Babis iu kërkoi falje njerëzve, plot pesë herë.
Babis, pranoi se ai dhe qeveria e tij kishin bërë disa gabime në mënyrën si i kanë trajtuar shpërthimin e pandemisë dhe iu lut njerëzve që të ndiqnin rregullat e rrepta për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Më vjen keq për kufizimet e reja që do të ndikojnë në jetën e pronarëve të bizneseve, qytetarëve, punonjësve. Më vjen keq gjithashtu që de facto përjashtova mundësinë që kjo të ndodhte sepse nuk mund ta imagjinoja që kjo do të ndodhte,” tha Babis.
Masat e reja çeke, të cilat hynë në fuqi të enjten në mëngjes, përfshijnë kufizime në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mbylljen e shërbimeve dhe dyqaneve që nuk kanë funksion thelbësor. Masat do të jenë në fuqi deri më 3 nëntor.
Për javë të tëra, kryeministri refuzoi të vendoste rregulla më të rrepta mbi popullin, duke përmendur nevojën për të mbrojtur ekonominë. Por vendimi, i cili në disa raste kundërshtonte mendimin e ekspertëve, ka çuar në një përhapje të gjerë të virusit.
Kombi prej 10 milionë qytetarësh po raporton tani më shumë raste të reja Covid-19 për 100,000 njerëz sesa çdo vend i madh në botë.
Republika Çeke u vlerësua në rang global për mënyrën si e trajtoi valën e parë të pandemisë në pranverë kur qeveria vendosi një bllokim të hershëm dhe bëri maskat të detyrueshme në një kohë kur pjesa më e madhe e botës perëndimore nuk e konsideronte atë lëvizje.