Avokati Tomë Gashi ka thënë se me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit rasti “Drenica” kthehet në situatën që ka qenë në fillim, njofton Klan Kosova.
Gashi është avokat i Sylejman Selimit, i cili është dënuar me 10 vjet burgim. Kurse Sami Lushtakut i janë hequr 12 vjet burgim me një vendim të Gjykatës së Apelit për akuzën për një vrasje që pretendohej se e kishte kryer.
“Me këtë aktgjykim, Selimi për të dy rastet është dënuar me dënim burgimi prej dhjetë vitesh. Lushtaku edhe pse është liruar nga vepra penale e vrasjes, është dënuar me shtatë vite burgim dhe njëjtë është vepruar edhe me Jahir Demakun duke e dënuar me dënim të bashkuar prej 7 vitesh”, ka pohuar Gashi në Info Magazine.
Ai thotë se këto aktgjykime janë skandaloze, janë masakër juridike pasi që të gjithë janë dënuar me vetëm një dëshmitar.
“Të gjithë janë dënuar me dëshminë e një dëshmitari dhe është skandaloze se si është e mundshme që në një drejtësi evropiane, se si ushtarët dhe komandantët të shpallen fajtor me dëshminë e një dëshmitari, e cila ka qenë jokredibile dhe nuk ka pasur asnjë besueshmëri”.
“Ky dëshmitar është një person pa besueshmëri dhe është i sëmurë psikik, është vendim skandaloz që gjykata është bazuar në deklaratat e tij”, shton Gashi.
“Të gjithë janë shpallur fajtor kinse kanë maltretuar dëshmitarin A dhe në të njëjtën kohë. Gjykata vjen në kundërshtim me vetveten, ai ka pohuar se në atë kohë ka pasur granatime”.
Ky dyshimtar sipas Gashit herë deklaron se ka qenë pjesë e UÇK-së, pastaj del kundër UÇK-së.
“Kemi probleme por Apeli vetëm ka marrë deklaratat e tij në Gjykatën Themelore dhe i ka përshkruar ato”, pohon Gashi.
“Të gjitha kanë qenë të ndikuara nga ky dëshmitar. Gjykata i ka besuar vetëm dëshmitarit A.”
Ai shton se lëndën do ta dërgojnë në Gjykatën Supreme duke besuar se gjyqtarët nuk do të bien në gracka politike.
“Ne, avokatët kemi vërtetuar pafajësinë e tyre por ka indikacione se vendimi është sjellë para se gjykimi të përfundojë”.
“Në të gjitha aktgjykimet ka shkelje të dispozitave, ne kemi një afat kohor prej 3 muajve dhe me të gjitha ato lëshime procedurale në aktgjykimin e shkallës së parë dhe me këto aktgjykime nga Apeli janë një mori shkeleshe”, ka thënë Gashi.
Avokati Gashi ka shtuar se Gjykata Supreme nëse ka vullnet do t’i vërejë këto dhe të prishë këto gjykime.
“Ne kemi prova se kryetari i trupit Gjykues ka zgjedhë një anëtare të trupit sipas preferencave personale, ne nuk kemi asnjë përgjigje as në “Drenica 1” as “Drenica 2”, duket se janë krijuar një grup i gjyqtarëve që kanë vendosur t’i shpallin fajtorë të gjithë ushtarët dhe komandantët, duket se kanë qenë kundër UÇK andaj kanë marrë një vendim të tillë”, ka përfunduar Gashi.