Vendimi i Kushtetueses, Gruda: VV-ja s’mund t’i zhvendosë afatet sipas interesit politik

Prishtinë | 23 Sht 2026 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda ka reaguar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se ka vërtetuar qëndrimet e Partisë Demokratike të Kosovës, që sipas tij, i ka mbajtur vazhdimisht gjatë gjithë kësaj kohe.

Gruda ka renditur katër çështje që, sipas tij, janë konfirmuar nga vendimi i Kushtetueses, duke thënë se Kushtetuta është shkelur për shkak të moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit prej 30 ditësh.

Deputeti i PDK-së tha gjithashtu se VV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj politik dhe siç u shpreh, ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor.

“1. Kushtetuta është shkelur duke mos u konstituuar Kuvendi brenda afatit 30-ditor.

 2. Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit ka filluar më 8 gusht dhe përfundon më 6 tetor. Pra, LVV-ja nuk mund t’i zhvendosë afatet kushtetuese sipas interesit të saj politik dhe ta shtyjë vendin drejt zgjedhjeve më 27 dhjetor, siç ka synuar.

 3. Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e PDK-së duhet të zgjidhet. Kjo pozitë nuk mund të anashkalohet apo të mbetet peng i vullnetit të shumicës parlamentare.

 4. Tani kemi vetëm 13 ditë kohë për të vepruar: për t’i miratuar ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe për t’i shmangur zgjedhjet e reja. Koha është e kufizuar dhe përgjegjësia tashmë është e qartë”.

Ai u shpreh edhe se vendimi i sotëm konfirmon një parim themelor, siç u shpreh, atë që afatet kushtetuese nuk janë çështje vullneti politik dhe Kushtetuta nuk mund të përshtatet sipas interesave të momentit.

Të ngjashme