Vendimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese me të cilin u rrëzua Qeveria Hoti do të bëhet publik deri në fund të kësaj jave, i tha Ekonomia Online ish-gjyqtari i kësaj gjykate, Kadri Kadriu.
Tutje, ai tha se vonesa të tilla janë për arsye operative. Kadriu theksoi se në këtë rast gjyqtari duhet të jetë shumë vigjilent për hartimin e një vendimi, vendim ky i cila duhet të përkthehen edhe në gjuhën serbe dhe në gjuhën turke.
“Vonimi është për atë arsye se gjykata kushtetuese paraprakisht e njofton opinionin me vendimin bazë që është, por ne e quajmë pjesa operative e vendimit. Pastaj vendimi duhet të arsyetohet dhe vendime të tilla që arsyetohen janë vendime voluminoze sepse duhet të jenë shumë profesionale poashtu nuk ka shkallë tjetër të ankesës”.
“Prandaj gjyqtari duhet të jetë shumë vigjilent për hartimin e një vendimi dhe tash vendimet në Gjykatën Kushtetuese duhet të përkthehen në gjuhën serbe poashtu ndonjëherë edhe në gjuhën turke pasi që është kërkesa e karakterit organizativ atëherë janë të detyruar të përkthejnë për shkak se ky vendim duhet të iu dërgohet palëve respektivisht qeverisë poashtu edhe Vetëvendosjes si palë kërkuese e cila ka qenë dhe duhet të përkthehet në gjuhë të tjera”.
“Deri ka e premtja do të jetë e gatshme për publikun vendimi i gjykatës për rrëzimin e Qeverisë dhe duhet t’i dërgohet palëve pastaj aktgjykimi duhet të publikohen në gazetën zyrtare dhe pastaj presidenti, presidentja tash ushtruesja e detyrës ka për detyrë t’i thërras forcat politike dhe me përcaktuar datën e zgjedhjeve”.
Ai shtoi se duhet të punohet mirë dhe të arsyetohet në mënyrë dinjitoze dispozicioni që është paraqitur për publik, raporton EO.
“Duhet të punohet mirë qartë dhe të arsyetohet në mënyrë dinjitoze dispozicioni që është paraqitur për publik. Nuk ndryshon dispozicioni, por duhet arsyetim i plotë në mënyrë profesionale përndryshe është problem për shkak se ne nuk jemi Bashkësinë Evropiane as në Këshillin e Evropës dhe të kishim qenë Këshillin e Evropës kishim qenë anëtar të barabartë të gjykatës së Strasburgut përndryshe ky vendim është përfundimtar dhe autoritet e shtetit janë të obliguara që të zbatojnë debatet publike. Vendimi duhet të zbatohet në përpikëri nga organet shtetërore”.
Sipas tij, në bazë të pikës katër të vendimit konsiderohet që çdo qytetarë i cili është i dënuar me një vendim të formës së prerë duhet t’i kalojë tre vjet për të kandiduar për deputet.
“Në bazë të pikës katër të vendimit konsiderohet që çdo qytetarë i cili është i dënuar me një vendim të formës së prerë duhet t’i kalojë tre vjet për të kandiduar për parlament. Nëse Kurti ka kaluar tri vjet ka të drejtë të kandidojë nëse jo nuk ka të drejtë pa marrë parasysh kush është, por kanë të drejtë të jenë pjesë e Qeverisë dhe mundet me qenë kandidat për kryeministër dhe ministër i qeverisë së Kosovës”.
Gjykata Kushtetuese me vendimin e 21 dhjetorit rrëzoi qeverinë e cila udhëhiqet nga kryeministri, Avdullah Hoti.
Kjo gjykatë vendosi se vota e deputetit Etem Arifi nuk është e ligjshme, prandaj konstatoi se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, i datës 3 qershor 2020, nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën.