Vendimi i Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me masat e reja të qarkullimit ende nuk është përkthyer në gjuhën serbe, duke krijuar keqkuptime në komunat me shumicë serbe në Kosovë, ka thënë të mërkuren organizata joqeveritare NGO Aktiv.
“Në publik po qarkullon informacioni kontradiktor në lidhje me qarkullimet e lejuara dhe gjobat e përcaktuara për shkeljen e ndalimit të qarkullimit, për të cilin anëtarët e komunitetit serb nuk mund të informohen për shkak të mungesës së një përkthimi zyrtar të vendimeve në serbe”, shkruan kjo organizatë në një postim në “Twitter”.
Kjo organizatë nga Mitrovica vlerëson se publikimi i vendimeve ekskluzivisht në gjuhën shqipe paraqet “shkelje të së drejtës për përdorim zyrtar të gjuhës serbe dhe të së drejtës për barazi të qytetarëve para ligjit”
“Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë, sa më shpejt të jetë e mundur, një përkthim në gjuhën serbe të të gjitha vendimeve të marra nga Ministria e Shëndetësisë për mënyrën e re të qarkullimit që nga data 15 prill”, kërkohet prej saj.
NGO Aktiv po ashtu ka kërkuar që Policia e Kosovës të pezullojë zbatimin e masave ndëshkuese në rast të shkeljes së rregullave të reja të qarkullimit, derisa të sigurohet përkthimi i vendimeve në gjuhën serbe.