Qeveria e re e Kosovës në planprogramin e saj politik e ka zëvendësimin e taksës 100 për qind ndaj Serbisë me masën e reciprocitetit.
Se si do të aplikohet reciprociteti ndaj Serbisë ende nuk është bërë e qartë nga qeveria e as vet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
SHBA-të dhe Bashkimi Evropian e kanë kërkesë eksplicite ndaj qeverisë së re largimin e barrierave që e pengojnë dialogun dhe kthimin në tavolinën e diskutimeve.
Lidhur me reciprocitetin ndaj Serbisë ka shprehur mospajtim i Dërguari Special i Presidencës së SHBA-ve për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell i cili ka pohuar se taksa duhet të hiqet, pa reciprocitet.
Në anën tjetër, ka shenja mos-pajtimi edhe mes partnerëve të koalicionit sa i përket reciprocitetit – ku nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se duhet të ketë koordinim me SHBA-të.
Në media është raportuar se zyrtarët amerikanë janë të zhgënjyer nga veprimet e Kurtit lidhur me dialogun, me ç’rast është shkruar në media se ata kanë refuzuar ta takojnë Kurtin gjatë konferencës së sigurisë në Mynih.
Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Blerim Burjani për lajmi.net është shprehur se taksa duhet të hiqet menjëherë dhe Kurti duhet ta largojë atë për një periudhë 3 mujore, ndryshe taksa mund të vendos për fatin e qeverisë dhe vet kryeministrit Kurti.
“Taksa duhet të hiqet menjëherë. Taksa mund të vendos a do të ekzistojë kjo qeveri dhe kryeministër apo jo. Mendoj që Kurti do të vendos të bëjë një hap përpara në rrugën e normalizimit të këtyre raporteve, taksa duhet të hiqet për një periudhë tre mujore fillimisht, pra duhet të ketë heqje të kësaj takse së paku për këtë periudhë që përmenda. Është pozitive për këtë qeveri që nuk do të thotë se ka hequr dorë prej takse në rast se Serbia nuk sillet seriozisht në dialog.”, tha Burjani për lajmi.net.
Sipas tij, Kurti nuk duhet të merret me marrëveshjet e kryera, por sipas tij, dy vendet Kosova e Serbia duhet të njihen reciprocikisht në kufijtë e vitit 1974.
“Kurti duhet të mos merret me marrëveshjet e dikurshme sepse shumica prej tyre kurrë deri më tash nuk janë zbatuar. Kërkesa për shqyrtim të marrëveshjeve duhet të shtyhet për më vonë, pasi që të arrihet marrëveshja me Serbinë për njohje reciproke të kufijve, mendimi im është se Kosova dhe Serbia duhet të njihen mes veti në kufijtë e vitit 1974.”, tha Burjani.
Në fund, ai është shprehur se duhet sjellje adekuate karshi dialogut.
“Duhet sjellje adekuate adaptive ndërkombëtare në rrethanat e caktuara dhe në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe standardet e parimet e përcaktuara nga ndërmjetësuesit”, tha Burjani në fund.
Vlen të theksohet se edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri i ka bërë thirrje Kurtit të shfuqizojë taksën 100 për qind për produktet serbe dhe ato boshnjake.