Ministria e Drejtësisë ka organizuar takimin fillestar për Rishikimin Funksional të Sundimit të Ligjit.
Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, tha se rishikimi funksional do të përqendrohet në fushat të cilat shihen si problematike për një sistem të sundimit të ligjit që është efikas, transparent dhe llogaridhënës në shërbim të qytetarit.
“Rishikimi funksional do të përqendrohet në problemet sistemore të sundimit të ligjit dhe me këtë do të trasojë rrugën për rishikime më specifike në të ardhmen. Ky rishikim do të ofrojë një platformë të qartë mbi problemet në sistemin e drejtësisë dhe do të ndihmojë në përzgjedhjen e drejtimit se kah dëshirojmë të zhvillohemi si sistem”, tha ministrja Hoxha.
Hoxha tha po ashtu se rishikimi funksional do të jetë proces transparent dhe gjithëpërfshirës dhe në këtë proces nuk do të përfshihen vetëm institucionet që janë anëtarë të Komitetit drejtues, por edhe institucionet tjera relevante, siç është Avokati i Popullit, si dhe partnerët ndërkombëtar dhe shoqëria civile.
Të pranishëm në këtë takim ishin dhe kryeministri Isa Mustafa; ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Greg Delawie; shefja e zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova; zëvendëskryeministri i parë Hajredin Kuçi; ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni; Kryeprokurori i Shtetit; kryesuesi i Këshillit Gjyqësor; Këshillit Prokurorial; drejtori i Policisë së Kosovës dhe anëtarë të Komitetit drejtues për Rishikimin Funksional të Sundimit të Ligjit.
Kryeministri Isa Mustafa, para të pranishmëve tha se Qeveria e Republikës së Kosovës, si Qeveri e koalicionit, ndër shtyllat kryesore e ka konsideruar sundimin e ligjit dhe shtetin ligjor, të cilin do ta zhvillojë në dobi dhe në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
“Në këtë aspekt, Qeveria ka marrë veprime të domosdoshme në të gjitha fushat dhe aspektet e sundimit të ligjit, përfshirë edhe fushat e veçanta. Poashtu, kemi marrë edhe veprime sa i përket përgatitjes së ligjeve përmes Ministrisë së Drejtësisë dhe procedimin e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke krijuar një ambient që të gjitha këto ligje të jenë në harmoni me kriteret e Bashkimit Evropian dhe poashtu edhe në bashkëpunim me partnerët tanë kryesorë, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha kryeministri Mustafa.
Më tej, kryeministri Mustafa theksoi se Qeveria nëntorin e vitit të kaluar ka marrë vendim për miratimin e këtij rishikimi dhe në këtë proces është orientuar në identifikimin e objektivave strategjike në këtë fushë, në rritjen e efikasitetit të institucioneve të drejtësisë, në rishikimin e kuadrit ligjor dhe proceseve të bashkëpunimit ndërinstitucional, në mënyrë që të mos ketë kanale të cilat pengojnë bashkëpunimin ose realizimin e ndërsjellë të detyrave.
“Konsiderojmë se duhet të kemi një sistem i cili është i thjeshtë, funksional dhe i cili është efektiv dhe efiçient në pikëpamje të objektivave tona që i kemi”, tha kryeministri Mustafa.
Për punën e bërë në këtë drejtim, kryeministri Mustafa falënderoi ministren e Drejtësisë dhe gjithë partnerët për bashkëpunimin që kanë treguar, duke i siguruar se Qeveria e Republikës së Kosovës me punën e saj do të jetë në anën e ligjit dhe do t’i japë prioritet sundimit të ligjit në Kosovë.
Shefja e zyrës së BE-së/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, tha se inicimi i rishikimit funksional të sektorit të sundimit të ligjit shënon një moment të rëndësishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie, po ashtu vlerësoi rëndësinë e Rishikimit Funksional të Sundimit të Ligjit, duke theksuar përkrahje në këtë drejtim.