Me shumicë votash, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime (BEI) për Financimin e Projektit “Reagimi i Kosovës ndaj Pandemisë Covid-19 për NVM-të, raporton Ekonomia Online.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se projekti është pjesë e Pakos së Ringjalljes Ekonomike.
Sipas tij, marrëveshja e ka për qëllim rritjen e kapitalit dhe se 40 milionë euro do t’i transferohet Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.
“Ne si Ministri e Financave dhe e Transfereve, kemi ndërmarr një numër masash që kanë për qëllim adresimin e efekteve negative, ekonomike të shkaktuara nga pandemia Covid-19, dhe një prej vështirësive që është theksuar që ballafaqohen bizneset si pasojë e pasigurisë së shkaktuar nga situata me pandeminë është edhe qasja në financa, krahas edhe kostos së shtrenjtë të financave. Me qëllim të lehtësimit të qasjes në financa për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ne pas negociatave me Bankën Evropiane për Investime kemi nënshkruar marrëveshjen e kredisë për financimin e projektit Reagimi i Kosovës ndaj pandemisë Covid-19. Projekti që financohet nga kjo marrëveshje është pjesë e Pakos për Ringjallje Ekonomike dhe ka për synim rritjen e fondit kosovar për garantimin e kredive prej 40 milionë euro shtesë, për ti mbuluar humbjet që mund të shkaktohet nga kreditë investuese,.Kredia ka kushte të favorshme të financimit, norma e interesit përcaktohet kur bëhet kërkesa për disbursim, dhe bëhet fjalë për një normë interesi që mund të jetë më pak se 1 për qind”, tha Murati.
Ndërsa, Deputeti i PDK-së Mërgim Lushtaku tha se e jep mbështetjen e tij, vetëm se ka kërkuar që të bëhen disa përmirësime te referencat.
“Sigurisht që në këtë drejtim keni mbështetjen time, në aspektin teknik duhet të përmirësohen disa gabime pasi që referencat nuk paraqiten në gjuhën shqipe, dhe në gjuhën angleze janë të paraqitura, dhe është e rëndësishme që këto referenca të rregullohen në gjuhën shqipe”, shtoi Lushtaku.
Me shumicë votash është miratuar raporti Vjetor i Fondit të Kursimeve Pensionale për vitin 2020.