Pas shumë vitesh përpjekje, ka mbërritur tashmë në Pogradec një anije turistike që do të mbajë linjën Pogradec-Ohër e Strugë, por edhe shëtitje turistike në liqenin e Ohrit, duke i dhënë një tjetër zhvillim e prespektivë qytetit liqenor.
Në një prononcim për ATSH-në, kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli u shpreh se kjo është anija e parë turistike shqiptare që do të lundrojë përgjatë vijës liqenore nga Pogradeci në Tushemisht-Lin, por edhe matanë kufirit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut.
“Anija turistike e cila ka një kapacitet prej 150 vendesh do të shërbejë për turistët vendas dhe të huaj në të gjitha sezonet për të bërë të mundur zhvillimin e tureve turistike si përgjatë vijës liqenore brenda vendit, ashtu edhe jashtë, duke nënkuptuar lundrimin drejt Ohrit dhe Strugës”, tha Xhakolli.
Sjellja e anijes në Pogradec, sipas tij, “është mundësuar nga bashkia Pogradec dhe prefektura e Korçës në bashkëpunim me operatorët privatë”.
“Ka qenë një kalvar i gjatë takimesh dhe diskutimesh deri në finalizimin e ardhjes së anijes e cila në fakt ishte sfidë më vete për t’u transportuar nga Durrësi drejt Pogradecit për shkak të përmasave të saj. Për këtë arsye ajo u soll pjesë-pjesë dhe pritet që të montohet në vijimësi nga specialsitët përkatës”, tha Xhakolli për ATSH-në.
Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për transportin ndërkufitar dhe vendosjen e linjës së trageteve është lidhur që nga viti 2014, por sipas Xhakollit, “asnjëherë nuk është zbatuar plotësisht, kjo për shkak se pala shqiptare nuk kishte një anije”.
Edhe në rastet kur kanë ardhur anije, Xhakolli tha se “ato kanë qenë nga pala maqedonase dhe nuk ishte e mundur që pogradecarët apo qytetarë të tjerë të udhëtonin me të”.
Xhakolli tha se, “bashkia synon rritjen e numrit të trageteve që do të lundrojnë në liqenin e Ohrit në varësi edhe të kërkesës së tregut”.
Sipas tij, anija “Tina Turist” cilësohet tashmë edhe si dallëndyshja e parë e një sektori që do të marrë zhvillim edhe më të madh në vijimësi nga operatorë të tjerë privatë, jo me anije të këtyre përmasave, por edhe me më të vogla në kapacitete, të cilat do të ofrojnë lundrime në ujërat e liqenit”.
Anija “Tina Turist” krahas lundrimit do të ofrojë edhe shërbimin e barit dhe restorantit gjatë shëtitjes në liqenin e Ohrit, duke mos mbetur vetëm në kuadrin e transportit ujor.
Sezoni turistik veror apo edhe më parë në varësi të kushteve të motit do e gjejë anijen në funksion të plotë në shërbim të turistëve dhe vizitorëve të shumtë që popullojnë Pogradecin/ATSH