Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, e ka cilësuar akt të papranueshëm,vendosjen e grafiteve pranë shtëpisë së deputetes, Adelina Grainca, me shkrime “Bijat i shesim,votat i qesim”, e cila është zgjedhur deputete si kandidate nga PDK-ja, por që ka kaluar në Vetëvendosje, raporton Ekonomia Online.
Aliu nuk ka komentuar akuzat që janë bërë se këtë gjë mund ta kenë bërë simpatizantë të PDK-së, por ka thënë se për të ky veprim është i papranueshëm.
“Nuk kam pasur rastin me përcjell, sigurisht edhe për shkak të angazhimeve dhe punës. Por çdo akt që është cenim për diçka është i cenueshëm dhe i papranueshëm, dhe për mua është i papranueshëm një akt i tillë”, tha ai.
Në muret e shtëpisë së deputetes Adelina Grainca, gjatë mbrëmjes të së martës janë vendosur grafite me mbi shkrime “Bijat i shesim,votat i qesim”.
Ky veprim ka ngjallur reagime të mëdha, ndërsa që Policia e Kosovës ka njoftuar që ka nisur hetimet.
Adelina Grainca kishte braktisur PDK-në për të kaluar në Vetëvendosje në ditën e zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente.