Për një festë të hendbollit kanë raportuar mediet serbe për ndeshjen kampionale mes Mokra Gorës dhe Partizanit të Beogradit. Kjo ndeshje është luajtur të shtunën mbrëma në qytezën veriore të Kosovës, në Zubin-Potok, që është fare pranë Liqenit të Ujmanit, ku të shtunën qëndroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Vizita e Thaçit ishte e befasishme, por jo edhe vizita e skuadrës nga Beogradi.
Klubi Mokra Gora, që garon në Superligën e Serbisë në hendboll, ndeshjet si vendas i luan në Zubin- Potok, ku e ka edhe selinë. Zhvillimi i ndeshjes së kampionatit të një vendi në një vend tjetër vlerësohet të jetë shkelje e rregulloreve të Federatës Evropiane të Hendbollit, shkruan sot Koha Ditore.
Por EHF-ja ende nuk ka dalë me një qëndrim të prerë dhe Mokra Gora për të dytën fundjavë rresht luajti ndeshje të Superligës së Serbisë në territorin e Kosovës. Kjo në fakt nuk është ndonjë situatë e re. Mokra Gora edhe edicionin e kaluar i luajti të gjitha ndeshjet si vendase në Superligë në Zubin-Potok, ndërsa shumë e shumë skuadra të përbëra nga serbët garojnë në ligat e Serbisë dhe aktivitetin e zhvillojnë në Kosovë, dhe jo vetëm në qytetet veriore.